Rrezik nga Irani! Takim urgjent mes ministrave të BE-së
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, ka paralajmëruar se Irani mund të prodhojë armë bërthamore brenda një ose dy vitesh, nëse Teherani vazhdon të shkelë marrëveshjen atomike me fuqitë globale.
Kryediplomati francez e bëri deklaratën përpara një takimi urgjent të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, i cili mbahet për shkak të tensioneve në rritje midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, që mbërrinin pikën kulmore javën e kaluar me vrasjen e komandantit të lartë iranian, Qasem Suleimani.
Teherani njoftoi se do të reshtë së zbatuari kufizimet që parashihen në marrëveshjen bërthamore. Presidenti amerikan, Donald Trump, vendosi ta tërheqë në 2018-tën Amerikën nga marrëveshja dhe rivendosi sanksione të ashpra ndaj Iranit. Ky i fundit këmbëngul se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime civile. Trumpi pretendon se marrëveshja ishte e pamjaftueshme dhe duhet të rinegociohej pasi nuk e zgjidh problemin e programit të raketave balistike të Iranit ose përfshirjen e tij në konfliktet rajonale.
BE-ja nga ana tjetër tregon se nuk do të “kursejë asnjë përpjekje” për të mbajtur të gjallë marrëveshjen bërthamore, pavarësisht tensioneve të përshkallëzuara mes Uashingtonit dhe Teheranit.