Rrëzohet një avion i Forcave Ajrore amerikane në Detin e Veriut, ja kush ndodhej në bord

Një pilot i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara është zhdukur, pasi avioni i tij i tipit F-15C, u rrëzua në Detin e Veriut më 15 qershor.

Avioni i rrëzuar kishte në bord vetëm pilotin, i cili po kryente një mision trajnues nga baza ajrore e forcave britanike në lindje të Anglisë.

“Shkaku i rrëzimit, por edhe statusi i pilotit janë të panjohura momentalisht. Ekipet e kërkim-shpëtimit të Mbretërisë së Bashkuar janë thirrur për të na mbështetur në këtë operacion”, tha kapitenja e Forcave Ajrore, Miranda T.Simmons.

Avioni amerikan ishte nisur nga baza RAF Lakenheath në Suffolk, ku janë të vendosur avionët e Forcave Ajrore amerikane.

BBC ka raportuar se besohet që avioni të jetë rrëzuar 137 kilometra larg nga brigjet e East Yorkshire.

Duke cituar të dhënat e një ueb-faqeje që gjurmon fluturimet, televizioni Sky News raportoi se avioni amerikan kishte qarkulluar sipër asaj zone, para se të zhdukej.

RAF Lakenheath është baza më e madhe e Forcave Ajrore amerikane në Britani. Mbi 4,000 pjesëtarë të personelit amerikanë janë të vendosur në këtë bazë./rel

SHKARKO APP