Rriten tensionet, Çekia vijon dëbimin e diplomatëve rusë edhe pas paralajmërimit të Kremlinit
Republika Çeke u ka kërkuar më shumë diplomatëve rusë që të largohen nga ky vend, pasi tensionet në mes të të dyja vendeve përshkallëzohen rreth rolit të dyshuar të Rusisë në shpërthimin vdekjeprurës të 2014-ës në një depo armësh në tokën çeke.
Ministri i Jashtëm çek Jakub Kulhanek ka thënë më 22 prill se Rusia nuk do të lejohet të ketë më shumë diplomatë në Pragë, sesa numri i zyrtarëve çekë që aktualisht janë në ambasadën e saj në Moskë.
Ai nuk ka përmendur sa zyrtarë të ambasadës ruse do të preken nga ky vendim, mirëpo në një intervistë për gazetën online Lidovky.cz, të publikuar më 21 prill, ai ka thënë se rreth 60 zyrtarë të ambasadës ruse do të dëbohen, nëse Moska injoron afatin e fundit – apo 22 prillin -të vendosur nga Çekia për të lejuar kthimin në punë të diplomatëve çekë.
Moska, e cila ka marrë vendimin për dëbim të diplomatëve në shenjë hakmarrjeje, ka thënë se ultimatumi i vendosur nga Republika Çeke, është “i papranueshëm”.
“Ne do të zvogëlojmë numrin e diplomatëve në ambasadën ruse në Pragë, për të barazuar numrin e stafit tonë në Moskë”, ka thënë Kulhanek, në një konferencë për media, pas kalimit të afatit të fundit.
“Vendimi do të zbatohet nga sot. Rusia ka kohë deri në fund të majit për të kthyer stafin”, ka shtuar ai.
Ministria e Jashtme ruse ka thënë se do të përgjigjet “shpejt” ndaj njoftimit çek./rel