Rritja e infektimeve në Europë, rikthehen masat e kufizimit

Rritja e rasteve me Covid-19 ka detyruar rikthimin e masave të kufizimit në qytete të ndryshme të Europës dhe përtej. Autoritetet në rajonin veri-perëndimor të Galicias në Spanjë, rikthejnë karantinën në një zonë prej 70 mijë banorësh, pas një shpërthimit të ri të pandemisë. Mbi 258 raste të reja janë shënuar në zonë. Vetëm ata që duhet të lëvizin për punën do të lejohen të dalin apo hyjnë në distriktin bregdetar të La Marina, nga mesnata e së dielës deri të premten.

Grumbullimet do të kufizohen deri në 10 persona, ndërsa maskat do të bëhen të detyrueshme edhe në ambiente të jashtme. Një hap i tillë ndërmerret një ditë pasi rajoni veri-lindor i Katalonjës riktheu kufizime të ngjashme në një zonë ku jetojnë rreth 210 mijë banorë. Për herë të parë, Zvicra e ka bërë të detyrueshme mbajtjen e maskës në mjetet e transportit publik në të gjithë vendin, duke cituar rritje të numrit të pasagjerëve. Greqia ndërkaq, ka mbyllur kufijtë për shtetasit serbë pavarësisht rekomandimit të Bashkimit Europian për të lejuar udhëtimet me këtë vend.

Rritja e rasteve në shtetin e Ballkanit Perëndimor shtyu Athinën zyrtare të sinjalizojë Beogradin se do të lejohen vetëm udhëtimet e domosdoshme. Sipas të dhënave të OBSH, në Europën qendrore dhe lindore janë regjistruar deri më tani mbi 480 mijë raste, me një rritje të konsiderueshme gjatë ditëve të fundit në shtete si Mali i Zi, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.

SHKARKO APP