Rritje infektimesh në Greqi, Mitsotakis: Fajtorë të rinjtë dhe jeta e natës

Nga foltorja e parlamentit, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis akuzoi të rinjtë, të cilët sipas tij, me shkujdesjen në bare, kanë përhapur virusin në vend.

“Ne provuam shumë plane por ato u tradhtuan nga sjellja e disa njerëzve. Ne e dimë sot cilat ishin burimet e shpërthimeve. Ne po e themi këtë për t’i shpjeguar shoqërisë se këto sjellje krijojnë një problem të shëndetit publik. Burimi kryesor i përhapjes ishte argëtimi i të rinjve”, tha ndër të tjera Mitsotakis.

Sa i përket një lockdown-i të dytë, kryeministri grek u shpreh se kjo nuk është diçka e lehtë për tu marrë.

Por Mitsotakis foli edhe për vaksinim të popullatës.

“Sot nuk ecim pa drejtim. Duhet të shtrëngojmë dhëmbët për të arritur deri në fund. Ne do të kemi vaksina nga janari. Dozat do të të vijnë në pjesë dhe qytetarët do të duhet të vaksinohen në mënyrë që të thyejnë zinxhirin e pandemisë. Do të kapërcejmë vështirësitë dhe do të dalim fitimtarë me sa më pak lëndime, në mënyrë që viti 2021 të jetë viti i rifillimit”, ka thënë Mitsotakis.

Ndër të tjera ai ka bërë apel qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm në lidhje me kujdesin e tyre ndaj Covid.

“Javët e ardhshme do të jenë të vështira. Ato janë gjithashtu të vështira për bashkëqytetarët tanë që punojnë, të cilët po përballen me pasoja ekonomike. Kjo është arsyeja pse ne thamë që posaçërisht për nëntorin do të dyfishojmë kompensimin në punën e paguar dhe do ta sjellim atë në 800 euro . Ne do të mbështesim familjet më të rrezikuara,” theksoi ai.

Ditën e nesërme, në Greqi hyn në fuqi ora policore, e cila i ndalon lëvizjen qytetarëve nga ora 21:00 deri në 05:00.

Nga nisja e pandemisë, Greqia ka regjistruar 63,321 të prekur me Covid-19 dhe 909 viktima. Ndërsa ditët e fundit është vënë re një shtim i lartë i rasteve të reja dhe pacientëve që humbin jetën. Vetëm në 11 ditët e fundit, Greqia ka regjistruar plot 280 viktima.

SHKARKO APP