Rusi/ Gjykata ndalon organizatat opozitare, i cilëson ekstremiste
Një gjykatë ruse i ka shpallur të paligjshme disa organizata të themeluara nga opozitari rus, Aleksei Navalni, duke i klasifikuar si ekstremiste.
Prokurorët kërkuan të mërkurën ndalimin e aktiviteteve të fondacionit antikorrupsion të ngritur nga Navalni dhe të zyrave të tjera me arsyen se ato rrezikojnë stabilitetin socio-politik të Rusisë, shkaktojnë trazira dhe implikojnë minorenët në veprimtari ilegale.
“Është zbuluar se organizatat jo vetëm përhapnin informacione që nxitnin urrejtje dhe dashakeqësi ndaj zyrtarëve të qeverisë, një numri partish politike dhe lëvizjesh qytetare, por kryenin edhe veprime ekstremiste e krime.”
Pas verdiktit të gjykatës, personave të përfshirë në veprimtari të tilla u ndalohet të garojnë në zgjedhjet parlamentare të vjeshtës dhe mund të dënohen me burg nëse e vazhdojnë aktivitetin.
Mbështetësit e Navalnit thonë se do të përshtaten me rrethanat e reja por nuk do zmprasen nga objektivi primar, që është apeli për rrëzimin e monopolit politik në Rusi.
“Autoritetet besojnë se dëshira e njerëzve të zakonshëm për të kërkuar ndryshim të qeverisë është ekstremiste për nga natyra. Faktikisht, ndryshimi i qeverisë është parim kushtetues në Kushtetutën tonë moderne.”\
Avokatët e opozitarit Navalni e konsiderojnë vendimin e fundit të motivuar politikisht dhe paralajmërojnë se do e apelojnë.
Vetë 45-vjeçari kritik i presidentit Vladimir Putin ndodhet në burg prej muajsh pasi vitin e kaluar me zor i mbijetoi një sulmi me helm paralizues.