Rusi, opozita në protestë për zgjedhje të lira e të ndershme
Mbështetësit e opozitës në Rusi po përgatiten për mbajtjen e një proteste të madhe ditën e sotme në Moskë që pas arrestimit të qindra aktivistëve në manifestimet e fundit nga forcat e policisë. Në javët e fundit qindra mijëra persona kanë dalë në rrugë për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, pasi shumë figura të njohura të opozitës, duke përfshirë dhe aleatë të kritikut të Putin, Navalny u përjashtuan nga zgjedhjet lokale në Moskë që do të mbahen muajin e ardhshëm.
Forcat e policisë dhe garda kombëtare arrestuan mbi 2000 persona dhe dhunuan shumë të tjerë vetëm në manifestimet e fundit, me motivin se nuk kanë marrë leje nga autoritetet përkatëse për tubimin. Shumë nga kandidatët që iu ndalua të merrnin pjesë në procesin zgjedhor janë prapa hekurave për shkelje të ligjeve për tubimet. Shumë protestues, mes tyre dhe studentë përballen me akuza shumë të rënda të cilat mund t’i mbajnë ata në qeli për një kohë shumë të gjatë.
Protesta e sotme është lejuar nga autoritetet që do të thotë që pjesëmarrësit nuk do mund të ndalohen për pjesëmarrjen në vendin e caktuar, por lideri i burgosur aktualisht i opozitës Navalny iu kërkoi mbështetësve të tij që të marshojnë paqësisht nëpër rrugët e qytetit.