Rusia e Kina, bashkëpunimin “historik” në fushën e energjisë
Rusia dhe Kina e forcuan bashkëpunimin në sferën e energjisë, me futjen në funksion të tubacionit të parë të gazit që i lidh ato. Rusia është eksportuesja më e madhe në botë e gazit natyror, ndërsa Kina është ekonomia e dytë më e madhe.
“Sot është një ngjarje e shënuar, një ngjarje vërtet historike jo vetëm për tregun global të energjisë, por, para së gjithash, për ju dhe për ne, për Rusinë dhe Kinën”, tha presidneti rus, Vadimir Putin, përmes një lidhjeje televizive, ku u paraqit edhe udhëheqësi kinez, Xi Jinping.
“Brenda 30 vjetësh, mbi një trilion metra kub gaz do të dërgohen në Kinë përmes tubacionit të gazit Fuqia e Siberisë”, tha Putin. Tubacioni “shërben si një model i bashkëpunimit të dobishëm midis vendeve tona”, tha në anën tjetër Xi.
Tubacioni Fuqia e Siberisë shihet si pjesë e përpjekjeve të Moskës për të zbutur efektet e sanksioneve financiare, që ia ka vënë Perëndimi për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.
Putin tha se tregtia me Kinën do të arrijë një rekord prej 100 miliardë dollarësh këtë vit, nga 87 miliardë dollarë sa ka qenë në vitin 2018. Rusia ka edhe dy projekte të tjera tubacionesh për të rritur furnizimin me gaz në Evropë, por që do të anashkalojnë Ukrainën./REL