Rusia gati për aksionin e vaksinimit masiv, nis shpërndarja e ‘Sputnik V’ në 70 klinika të Moskës

Moska ka nisur shpërndarjen e vaksinës Sputnik V në 70 klinika në mbarë qytetin, thanë autoritetet, duke bërë kështu imunizimin e parë masiv që Rusia kryen kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi.

Njoftimi i sotëm i task forcës së Moskës për koronavirusin, vjen pas kritikave se vaksina ruse ende nuk ka kryer studimet e avancuara që duhen për t’u siguruar se ajo është efektive dhe e sigurt sipas protokolleve të vendosura nga shkencëtarët.

Autoritetet ruse thanë se vaksina fillimisht do t’iu jepet punëtorëve shëndetësorë, mësuesve dhe punëtorëve socialë, sepse sipas autoriteteve, kjo kategori e shoqërisë është më e ekspozuar ndaj virusit.

Njerëzit që kanë sëmundje të ndryshme, gratë shtatzëna dhe personat që kanë pasur sëmundje të frymëmarrjes në dy javët e fundit, do të ndalohen që ta marrin vaksinën tash për thash. Mosha e personave që do të vaksinohen është kufizuar në 60 vjeç.

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin tha se “në pesë orët e para, 5,000 njerëz janë paraqitur për ta marrë vaksinën”.

Qeveria thotë se vaksina Sputnik V do të jetë falas për të gjithë qytetarët rusë. Kjo vaksinë administrohet përmes dy dozave dhe doza e dytë e vaksinës pritet që t’iu jepet qytetarëve 21 ditë, pasi të kenë marrë dozën e parë.

Qeveria ruse ka miratuar përdorimin e vaksinës Sputnik V në fillim të gushtit, veprim ky që u kritikua nga ekspertët të cilët atëbotë thanë se kjo vaksinë ishte testuar vetëm në disa dhjetëra persona.

Presidenti rus, Vladimir Putin atëbotë tha se një ndër personat e parë që morën vaksinën ishte edhe njëra nga vajzat e tij.

Më 2 dhjetor, ministri rus i Shëndetësisë, Mikhail Murashko deklaroi se mbi 100,000 persona në Rusi kanë marrë dozë të vaksinës.

Rusia ka regjistruar numër të lartë të rasteve të reja me COVID-19 më 5 dhjetor, përkatësisht 28,782 raste. Numri i përgjithshëm i rasteve, që kur është paraqitur pandemia në këtë shtet është 2,431,731. Prej tyre, 42,684 pacientë kanë vdekur.

/REL

SHKARKO APP