Rusia raporton tre të vdekur pas “një sulmi nga Ukraina”
Rusia ka thënë të hënën se e ka rrëzuar një dron të Ukrainës afër një baze ajrore ruse dhe ka raportuar se tre persona kanë mbetur të vdekur nga ky incident.
Droni thuhet se po fluturonte pranë bazës ajrore ruse Engels, ku gjenden bombarduesit strategjikë me rreze të gjatë që mund të jenë përdorur për t’i sulmuar qytetet dhe infrastrukturën ukrainase. Asnjë avion nuk u dëmtua, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë të transmetuar nga agjencitë ruse të lajmeve.
Megjithatë, një numër llogarish të paverifikuara ruse dhe ukrainase raportuan në rrjete sociale se një numër avionësh ishte shkatërruar. Agjencia e lajmeve Reuters nuk ka arritur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto lajme.
Baza ajrore, që është një nga dy bazat strategjike ku strehohet kapaciteti bërthamor i Rusisë, ndodhet pranë qytetit të Saratovit, rreth 730 kilometra në juglindje të Moskës dhe qindra kilometra larg vijës së frontit në Ukrainë.
Nga Ukraina nuk pati reagim të menjëhershëm, mirëpo Kievi zyrtar nuk ka marrë asnjëherë publikisht përgjegjësi për sulmet brenda Rusisë. Ukraina i quan ato “karma” për nisjen e pushtimit më 24 shkurt.
E njëjta bazë ajrore ishte sulmuar edhe një herë në fillim të këtij muaji nga dronët ukrainas, sipas Rusisë.
“Një mjet ukrainas pa pilot [dron] u rrëzua në lartësi të ulët përderisa po i afrohej aeroportit ushtarak Engels në rajonin e Saratovit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes, të publikuar të hënën.
“Tre ushtarakë rusë të stafit teknik që ishin në aeroport u plagosën për vdekje si pasojë e rënies së rrënojave të dronit”.
Rusia ka 60 deri në 70 avionë bombardues strategjikë të dy llojeve – Tu-95MS Bear dhe Tu-160 Blackjack. Të dy mund të pajisen me bomba bërthamore dhe raketa lundrimi me armë bërthamore brenda, si dhe municione konvencionale.
Moska i ka përdorur forcat e veta ajrore për të gjuajtur raketa lundrimi në atë që e quan “operacion i të veçantë ushtarak” për të degraduar potencialin ushtarak të Ukrainës. Kievi ka thënë se sulmet e tilla janë krime lufte dhe e ka krahasuar Rusinë me një shtet terrorist.
Sulmi i mëparshëm i 5 dhjetorit në këtë bazë ajrore, bashkë me një sulm tjetër të po së njëjtës ditë në një bazë tjetër, ngriti dyshime lidhur me efikasitetin e mbrojtjes ajrore ruse dhe tronditi analistët rusë.
Nëse Ukraina mund të sulmonte aq larg brenda Rusisë, ajo mund të jetë në gjendje edhe ta godasë Moskën, thanë ata analistë në rrjete sociale.
Të hënën, Roman Busargin, guvernator i rajonit të Saratovit, tha se objektet e infrastrukturës civile nuk u dëmtuan nga ky incident i fundit, për të cilin tha se autoritetet kishin filluar hetimet.
“Nuk ka absolutisht asnjë kërcënim për banorët… Objektet e infrastrukturës civile nuk u dëmtuan”, tha Busargin.