Rusia shpall të përfunduar mobilizimin e 300 mijë rezervistëve, qindra prej tyre ndodhen tashmë në zonat e luftimit

Rusia njoftoi të premten se ka përfunduar procesin e rekrutimit të rezervistëve për luftën në Ukrainë, pasi mobilizoi qindra mijëra njerëz gjatë një muaji, me më shumë se një të katërtën e tyre tashmë të dërguar në fushën e betejës.

Njoftimi duket se i dha fund një lëvizje përçarëse mobilizimi, e para e Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore, ç’ka kishte bërë që dhjetëra mijëra burra të largoheshin nga vendi dhe shkaktoi protestat e para publike kundër luftës.

“Detyra e vendosur nga ju për mobilizimin e 300.000 njerëzve është përfunduar. Asnjë masë e mëtejshme nuk është planifikuar,” i tha ministri i mbrojtjes Sergei Shoigu, presidentit Vladimir Putin në një takim televiziv në Kremlin. Ai tha se 82.000 rekrutë tashmë ishin dërguar në zonat e luftimit dhe pjesa tjetër po stërviteshin.

Putin falënderoi rezervistët “për përkushtimin e tyre ndaj detyrës, për patriotizmin e tyre, për vendosmërinë e tyre për të mbrojtur vendin, për të mbrojtur Rusinë, shtëpinë e tyre, familjen e tyre, qytetarët dhe popullin rus”.

Si Putini ashtu edhe ministri i tij i mbrojtjes pranuan “problemet” në ditët e para të mobilizimit. Shoigu tha se çështjet fillestare në furnizimin e trupave të sapomobilizuara ishin zgjidhur që atëherë. Putini tha se gabimet ndoshta kishin qenë të pashmangshme pasi Rusia nuk kishte kryer mobilizim për një kohë kaq të gjatë, por se mësimet ishin nxjerrë.

Më shumë se 2.000 persona u arrestuan në protestat kundër mobilizimit, veçanërisht në pjesë të vendit të populluara nga pakicat etnike të cilët u ankuan se po rekrutoheshin në mënyrë disproporcionale për t’u dërguar në front.

Putin dhe zyrtarë të tjerë kanë pranuar disa gabime, përfshi rekrutimin e disa burrave që ishin shumë të moshuar ose të papërshtatshëm për shërbim ushtarak, por thanë se problemet do të zgjidheshin. Dhjetëra mijëra burra rusë besohet se janë larguar nga vendi për të shmangur rekrutimin, shumë drejt ish-republikave fqinje sovjetike.

Putin urdhëroi mobilizimin në shtator në të njëjtën kohë kur ai miratoi planet për të aneksuar territoret ukrainase. Perëndimi i përshkruan ato lëvizje si një përshkallëzim të konfliktit në përgjigje të disfatave në fushën e betejës që treguan se Rusia ishte drejt humbjes së luftës.

SHKARKO APP