Salvini: Gjermania, shantazh me emigrantët

Gjermania mësohet se ka kërkuar ta kushtëzojë shpërndarjen e refugjatëve të shpëtuar në det me pritjen e më shumë anijeve humanitare në portet italiane. Zëvendëskryeministri italian e ka konsideruar këtë një formë shantazhi, e cila tregon se shtetet europiane e perceptojnë vendin e tij si një kamp refugjatësh.

Ministri i Brendshëm italian, Mateo Salvini, ka akuzuar Gjermaninë se po përdor emigrantët e shpëtuar në det për t’i bërë “shantazh” vendit.

Në një intervistë për një televizion lokal, kryetari i partisë “Lidhja” deklaroi se Berlini e kishte kushtëzuar shpërndarjen e emigrantëve në brigjet italiane me zbarkimin e një tjetër mjeti lundrues me refugjatë.

“Këto sinjale nga ana e Berlinit janë për të ardhur keq. Kjo konfirmon faktin që shtetet europiane e konsiderojnë Italianë si një kamp refugjatësh, por gjërat kanë ndryshuar dhe nuk pranojmë më urdhra nga askush dhe as të pushtohemi,” u shpreh zëvendëskryeministri.

Deklaratat e tij vijnë pasi të mërkurën Italia ra dakord me disa shtete europiane që 131 emigrantë në bordin e anijes “Bruno Gregoreti” t’u shpërndahen vendeve si Gjermania, Franca, Portugalia, Luksemburgu dhe Irlanda.

Ndërkohë anija humanitare “Alan Kurdi” njoftoi të enjten se ka shpëtuar 40 emigrantë të tjerë të nisur nga Libia.

Organizata humanitare gjermane që e administron mjetin lundrues shtoi se planifikon të afrohen në ishullin italian të Lampeduzës, por do të qëndrojnë jashtë ujërave territorialë të vendit sa të sqarohen rrethanat.

Sipas agjencisë së refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, në Itali këtë vit kanë mbërritur rreth 3,600 emigrantë përmes ujërave të Mesdheut, për t’i shpëtuar luftërave dhe krizave humanitare në vendet e tyre.

Në Spanjë dhe Greqi, numri i emigrantëve të ardhur nga Afrika e Veriut apo Afganistani ëshë 5 deri 8-fish më e lartë.

SHKARKO APP