Sekuestrohen 5.2 ton kokainë me vlerë 200 mln euro në brigjet portugeze
Policia portugeze ka sekuestruar 5.2 ton kokainë, e cila ndodhej brenda një jahti që lundronte nën flamurin spanjoll. Vlera e kokainës së sekuestruar nëse do të shitej në treg, do të kapte vlerën e 200 milionë eurove.
Policia njofton se kjo është një nga sekuestrimet më të mëdha të drogës të regjistruara në vitet e fundit në Evropë.
Jahti brenda të cilit u gjet droga, ishte 24 metra e gjatë dhe gjendej në Oqeanin Atlantik.
Autoritetet kanë arrestuar dy spanjollë dhe një peruan. Besohet se ishin pjesë e grupit që merrej me trafikimin ndërkombëtar të kokainës.
“Kjo është një goditje për ata që në Evropë kanë dashur të sjellin kokainë”, ka thënë Luis Nevec nga policia portugeze.