Senati amerikan miraton paketën 2 trilionë dollarë të ndihmës kundër koronavirusit, më e madhja në histori

Senati i SHBA-së ka miratuar me shumicë dërrmuese një projektligj historik prej 2 trilion dollarësh për të shpëtuar ekonominë e SHBA-së si dhe për ndihmën ndaj sektorit të kujdesit shëndetësor, në betejën e tij për të frenuar përhapjen e pandemisë së koronavirusit që ka çrregulluar shoqëritë në mbarë botën.

Tashmë, projektligji kalon për miratim në Dhomën e Përfaqësuesve. Pas votimit të Dhomës, projektligji do t’i dërgohet presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka thënë se shumë shpejt do ta nënshkruajë.

Pakoja përmban shumën më të madhe në historinë e SHBA-së që ndahet për të ndihmuar ekonominë. Shuma është e barabartë me gjysmën e shumës së buxhetit aktual vjetor federal të SHBA-së.

Masa e Senatit vjen pasi shumica e vendeve në Shtetet e Bashkuara janë në gjendje izolimi, dhe shumë qytete dhe shtete po urdhërojnë mbylljen e bizneseve.

Tregjet e aksioneve ranë përsëri në masë të konsiderueshme në fillim të javës, pas humbjeve të javës së kaluar që eliminuan pothuajse gjithë rritjen e regjistruar gjatë presidencës së Doanld Trumpit, ndërsa aktiviteti publik në gjithë vendin ka ndalur.

Me fabrikat, bizneset, restorantet dhe shkollat të mbyllura dhe industry të tëra të paralizuara, punonjësit po përballen me humbje vendesh pune, shkurtim orësh apo të punojnë të sëmurë nëse nuk kanë leje.

Paketa ekonomike 2 trilionë dollarëshe që pritet të miratohet nga dy dhomat e Kongresit këtë javë, do të ketë ndikim direkt tek populli amerikan, tha të mërkurën udhëheqësi i pakicës demokrate në senat, Chuck Schumer dhe në muajt në vazhdim “mund të sjellë ndryshimin mes të ushqyerit dhe urisë, mes të mbijetuarit në këtë kohë papunësie dhe rrënimit financiar”.

Paketa e ndihmës synon nxitjen e ekonomisë amerikane duke siguruar pagesa të drejtpërdrejta për më shumë se 90 për qind të amerikanëve dhe një grup të gjerë biznesesh, që do t’i ndihmonte ato të përballonin efektet e tanishme dhe në rritje të pandemisë.

Shumica e familjeve katër anëtarëshe amerikane do të merrnin 3 mijë dollarë, me paketën e ndihmës që do të krijojë program të huave prej 500 miliardë dollarësh për bizneset, qytetet dhe shtetet dhe 350 miliardë dollarë më shumë për të ndihmuar bizneset e vogla të paguajnë rrogat në një kohë kur ka një kërkesë në rënie për prodhimet dhe shërbimet e tyre.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, në Shtetet e Bashkuara janë 68,572 raste të konfirmuara me COVID-19, numri i tretë më i lartë në botë pas Kinës dhe Italisë. Të vdekur nga kjo sëmundje janë regjistruar 1,031 persona.

SHKARKO APP