Senati miraton paketën stimuluese prej 1,9 trilion dollarësh
Plani përfundimtar përfshin 400 miliardë dollarë në formë pagesash prej 1,400 dollarësh për shumicën e amerikanëve, nga 300 dollarë në javë për 9,5 milion njerëz që kanë humbur punën dhe 350 miliard dollarë ndihma për shtetet dhe qeveritë lokale që kanë mbetur me mangësi në buxhetet e tyre për shkak të pandemisë.
Senati votoi me 50 pro dhe 49 kundër në linja partiake. Asnjë republikan nuk votoi pro për këtë paketë stimuluese, ndër më të mëdhatë në historinë e vendit.
Disa republikanë u larguan menjëherë pas votimit.
Beteja ende nuk ka mbaruar, pasi projektligji duhet të kthehet në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila miratoi një version pak më të ndryshëm një javë më parë. Projektligji duhet të kalojë nëpër një proces rakordimi mes Dhomës dhe Senatit.
Paketa stimuluese është një përparësi për Presidentin Biden ndërkohë që vendi vazhdon betejën me pandeminë, e cila ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 520,000 amerikanëve./VOA