Senatorët argëtohen dhe i zë gjumi gjatë gjyqit ndaj Trump
Kjo është ana tjetër e gjyqit për shkarkimin e presidentit amerikan, Donald Trump. Disa senatorë nuk janë treguar seriozë dhe për pasojë i ka zënë gjumi, kanë luajtur lojëra dhe kanë thyer rregulla të tjera. Jim Risch dhe Jim Inhofe janë mes pjesëtarëve që duket se kanë dremitur pak gjatë seancave të stërzgjatura.
Fjalëkryqe, pajisje antistres dhe avionë letre janë vënë re mes senatorëve. Në këtë gjyq, Trump akuzohet nga demokratët se abuzoi me pushtetin duke kërcënuar demokracinë Amerikane. Në fund, senatorët do të vendosin nëse ai duhet të shkarkohet nga posti ose të rrëzojnë akuzat. Dhoma e lartë e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, e konsideron veten një shembull sjelljeje parlamentare. Disa senatorë, Republikanë dhe Demokratë, janë kritikuar këtë javë nga mediat amerikane për sjelljet e tyre prej nxënësve të mërzitur.
Sipas rregullave, senatorët duhet të qëndrojnë të ulur në karrige gjatë gjyqit për “impeachment”. Por të paktën 9 demokratë dhe 22 republikanë u larguan nga vendet e tyre vetëm gjatë të enjtes. Madje ka pasur edhe nga ato, si përfaqësuesja e Tennessee, Marsha Balckburn, e cila në vend të fokusohej te gjyqi, vendosi të lexonte një libër në sallë.