Senatori amerikan ka një apel: A ka në Rusi një Brut që të vrasë Putinin?
Panorama politike është radikalizuar pas pushtimit rus të Ukrainës, aq sa politikanët mund të thonë hapur dhe publikisht teori që më parë do të cilësoheshin si skandaloze.
“Ka një Brut në Rusi? Ose një kolonel Stauffenberg i suksesshëm në ushtrinë ruse?”, deklaroi senatori amerikan Lindsey Graham, duke iu referuar personazheve historike qe kanë tentuar të vrasin liderët e tyre.
Mendimi i senatorit republikan i Karolinës së Jugut, i shpërndarë në Twitter, solli reagimin e ashpër të ambasadorit rus në SHBA, Anatoly Antonov, që cilësoi komentet e amerikanit si të “papranueshme dhe fyese”.
“Niveli i rusofobisë dhe urrejtjes ndaj Rusisë në SHBA ka marrë dimensione të pazakonta. E pabesueshme që senatori i një vendi që promovon vlerat e saj morale si një yll polar për njerëzimin të guxojë të flasë për terrorizmin si një çelës për të arritur objektivat e Uashingtonit në skenarin ndërkombëtar”, ishin fjalët e diplomatit rus.