Serbia hap të gjitha xhamitë
Duke filluar nga dita e sotme të gjithë besimtarët myslimanë në Serbi, do të falin namazin në xhami. Ky vendim erdhi falë masave lehtësuese që mori qeveria serbe. Kështu, pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme dy ditë më parë, Serbia hapi pas gati një muaji e gjysmë këto objekte kulti, që u mbyllën si pasojë e koronavirusit të ri (COVID-19).
“Është miratuar që namazet ditore, të xhumasë dhe teravisë nëpër xhami dhe mesxhide, përveç imamëve dhe muezinëve, mund të kryhen nga një numër më i madh i anëtarëve të xhematit, varësisht nga kapaciteti i xhamisë, duke respektuar masën në fuqi të Qeverisë së Republikës së Serbisë për distancë fizike prej 2 metrash, me çka rekomandohet përdorimi i oborrit të xhamisë”, thuhet në një njoftim të Bashkësisë Islame.
Sipas vendimit të marrë në seancën e fundit, objektet e Bashkësisë Islame të Serbisë janë të detyruara të sigurojnë sasi të mjaftueshme të mjeteve të dezinfektimit. Me këtë, detyrohet vendosja e një barriere dezinfektimi në hyrje të xhamive, si dhe dezinfektues për duar. Për besimtarët e moshuar me sëmundje kronike, rekomandohet që ata të falen në shtëpitë e tyre. Nga ana tjetër, besimtarët që vijnë në xhami këshillohen që të vazhdojnë të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të respektojnë të gjitha masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
“Anëtarët e xhematit që vijnë në xhami dhe mesxhide janë të detyruar të kryejnë ritualin e abdesit në shtëpitë e tyre, ata detyrohen të mbajnë pajisje themelore mbrojtëse siç janë maskat higjienike mbrojtëse për fytyrën dhe dorezat, si dhe të marrin sexhadet e tyre për kryerjen e namazit dhe në mënyrë rigoroze të zbatojnë udhëzimet e dhëna nga personat zyrtarë të Bashkësisë Islame”, thuhet në njoftim.