Serbia nis vaksinimin masiv, Vuçiç do t’i injektohet vaksina kineze në fundjavë

Në mbarë Serbinë filloi vaksinimi masiv i popullatës pasi përfundoi procesi për mjekët dhe të moshuarit. Vetë presidenti Vuçiç do të vaksinohet me vaksinën kineze Sinopharm në fundjavë. Deri në mes të janarit, autoritet serbe njoftuan vaksinimin e rreth 25 mijë vetëve.

Serbia filloi të martën vaksinimin masiv të popullsisë kundër Covid-19 duke u bërë vendi i parë europian që përdor vaksinën kineze të firmës Sinopharm.

“Kjo është mënyra e vetme për t’ju kthyer normalitet,” tha ministri i Shëndetësisë Zlatibor Loncar, i cili e mori i pari vaksinën kineze.

“Këto janë vaksina shumë të sigurta. Nuk ka arsye për t’u shqetësuar,” tha Loncar ndërsa vaksinimi transmetohej live në televizionin publik RTS.

Serbia mori të dielën një milion doza nga firma kineze Sinopharm. Kjo është vaksina e tretë të autorizohet për përdorim nga vendi i Ballkanit, pas asaj të Pfizer-BioNTech dhe ruses Sputnik V.

Vaksinimi masiv në Serbi do të kryhet në 300 pika të qyteteve të mëdha dhe vetë presidenti Aleksandër Vuçiç do ta marrë vaksinën kineze në fundjavë.

Një tjetër vaksinë kineze filloi të përdoret në Turqi javën e kaluar, ajo CoronaVac e firmës Sinovac.

Deri më sot Serbia ka regjistruar rreth 380 mijë të infektuar dhe mbi 3,700 viktima. Deri në mes të janarit, autoritet serbe njoftuan vaksinimin e rreth 25 mijë vetëve.

SHKARKO APP