Sfida e Boris Johnson: Të gjithë të rriturit do ta marrin dozën e parë të vaksinës deri në fund të korrikut
Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, ka hedhur një sfidë të fortë sa i përket përballimit të pandemisë së Covid-19.
Të gjithë të rriturit do të kenë mundësi të marrin dozën e parë të vaksinës deri në fund të korrikut të këtij viti.
Me këtë zotim qeveria e Anglisë synon të ulë ndjeshëm numrin e të infektuarve si dhe të kthejë jetën normale.
Me planin e ri të qeverisë synohet që për personat mbi 50 vjeç të jetë dhënë vaksina deri në datën 15 prill, përfshirë këtu dhe të rinjtë që kanë probleme kronike të shëndetit.
Më tej do të vazhdohet me moshat më të reja.
Deri më tani raportohet se kanë marrë të paktën një dozë 17 milionë persona, por Boris Johnson kërkon që programi të vazhdojë edhe më shpejt duke lehtësuar paralelisht dhe rregullat e qarkullimit në të gjithë vendin.
Po ashtu në deklaratat për mediat të autoriteteve të shëndetësisë bëhet e ditur se ka një rënie të ndjeshme të pacientëve të shtruar në spitale.
Në këto kushte qeveria ka kërkuar një mbledhje të posaçme ku do të përcaktohen dhe oraret e reja të lëvizjeve apo zonave që do të konsiderohen ende të kuqe.
Nga nisja e pandemisë në Britani janë rreth 4,100 mijë persona të infektuar prej të cilëve 2300 mijë janë shëruar dhe 120 mijë kanë humbur jetën.