SHBA: Dhuna me armë, mbizotëruese në politikë pas vrasjeve masive

Çështja e dhunës me armë ka mbizotëruar në debatet politike të Shteteve të Bashkuara, pas vrasjeve masive fundjavën e kaluar në Teksas dhe Ohajo. Ndërsa anëtarët e Kongresit janë me pushimet e gushtit, kandidatët demokratë për president po bëjnë thirrje për veprim dhe Presidenti republikan Donald Trump po premton kontroll më rigoroz të blerësve të armëve. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sulivan njofton:

Më shumë se 30 vetë humbën jetën në dy vrasje masive. Funerali i një viktime u mbajt të shtunën në Ohio. Në Ajova të premten, kandidatët demokratë për president u përqëndruan tek dikush që nuk ishte i pranishëm: Presidenti Donald Trump. “Bëhet fjalë për dikë që e mori postin dhe që ka përdorur merin dhe zërin e presidentit të Shteteve të Bashkuara për të na përçarë”, tha senatorja Kamala Harris.

Zoti Trump i ka dënuar sulmet, por demokratët thonë se retorika e tij për imigrantët e paligjshëm frymëzon urrejtje. Presidenti u tha gazetarëve të premten se ai do që kontrollet për blerësit e armëve të bëhen më të rrepta. “Ne nuk duam njerëz që kanë sëmundje mendore, njerëz të sëmurë, të kenë armë”, tha ai.

Kreu i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, i rrethuar nga protestuesit në shtetin e tij të Kentucky, tha në një emision radioje të premten që komentet e demokratëve nuk janë të dobishme. “Pas secilës prej këtyre ngjarjeve, prirja ka qenë për t’u përfshirë në debate politike, në vend që të punohet për të zgjidhur diçka. Presidenti më telefonoi sot në mëngjes për këtë temë. Ai dëshiron të shohë rezultate.”

Shoqata Kombëtare e Armëve, që ka ndikim të madh politik thotë se kontrolli më i rreptë nuk do t’i ndalojë kriminelët. Kandidati demokart për president Cory Booker i tha një publiku në Ajova të premten se vendi duhet të merret me çështjen e terrorizmit të brendshëm nga supremacistët e bardhë. Ai e bëri këtë argument përsëri të dielën.

“Dhe problemi është se në Shtëpinë e Bardhë nuk kemidikë që të ngrihet dhe të thotë se do të përballemi me këtë, të caktojmë burime, të shpenzojmë energjinë, kemi dikë që po e amplifikon, që po kontribuon tek kjo lloj përçarjeje”. /Voa/

SHKARKO APP