SHBA falenderon Kosovën për strehimin e refugjatëve afganë

Zv/ndihmës sekretarja amerikane e shtetit në byronë për Çështje Evropiane dhe Euro-Aziatike, Molly Montgomeri, falënderoi të enjten presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, për bashkëpunimin dhe mbështetjen në strehimin e qytetarëve afganë që kishin punuar për Shtetet e Bashkuara, para tërheqjes nga Afganistani.

Komentet e zonjës Montgomeri që zhvilloi takime me udhëheqësit e Kosovës pa praninë e medias, u transmetuan në komunikata të zyrës së presidentes dhe kryeministrit, në të cilat vihet theksi te marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve. Mbi një mijë shtetas afganë u strehuan në Kosovë që nga fundi i muajit gusht, si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për t’i shpëtuar ata nga dhuna në Afganistan.

Sipas autoriteteve shumica e tyre janë gra, fëmijë e pleq, familjarë të kontraktorëve që kanë punuar me koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan. Presidentja Osmani, thuhet në një komunikatë të zyrës së saj, ritheksoi se “Kosova do të vazhdojë të qëndrojë pranë aleatit më të madh dhe më të besueshëm dhe se vendimi për afganët ishte vetëm një dëshmi e përkushtimit në këtë marrëdhënie”.

Ajo e informoi zëvendës ndihmës sekretaren se “ky vendim nuk ishte vetëm politik, por ishte edhe moral dhe se njerëzit në mbarë Kosovën ishin krenarë që mundën të kontribuonin në këtë ndërmarrje humanitare”. Kryeministri Kurti tha se kjo ndihmë “ishte obligim humanitar yni dhe se ne duam t’i qëndrojmë në krah ShBA-ve, aleatit tonë strategjik”.

Të dy zyrtarët vlerësuan qëndrimin e presidentit amerikan Joe Biden se “vazhdimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe arritja e një marrëveshjeje duhet përqendruar në njohjen reciproke”. Ata theksuan mbështetjen amerikane për Kosovën në luftën kundër pandemisë së COVID-19, por edhe në fushat tjera, përfshirë atë të ngritjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës. /VOA/

SHKARKO APP