SHBA më pak se 1 javë nga zgjedhjet, Obama përkrah Biden

Ka mbetur më pak se 7 ditë nga zgjedhjet presidenciale në Amerikë. Presidenti Donald Tramp është i shqetësuar se rezultati i garës mund të njihet disa javë me vonesë ndërsa rivali i tij, Xho Bajden, kërkon unitet popullor për ta rrëzuar republikanin.

Rreth 70 milionë amerikanë kanë votuar paraprakisht për të sjellë edhe një herë në krye të shtetit republikanin Donald Tramp ose rivalin e tij demokrat, ish-zv.presidentin Xho Bajden.

Shefi aktual i Shtëpisë së Bardhë ndau të martën shqetësimin se asnjëri prej tyre mund të mos shpallet fitues ditën e zgjedhjeve, pasi një numër rekord fletëvotimesh të dorëzuara me postë për shkak të situatës epidemiologjike do të duhet të numëron manualisht.

“Do të ishte mirë që fituesi të shpallej më 3 nëntor, në vend që të numëronim votat për dy javë me radhë, që nuk e shoh të përshtatshme dhe as në përputhje me ligjet tona,” deklaroi Trump duke shprehur përsëri frikën se kundërshtarët kanë për ta manipuluar procesin.

Rivali i tij, Bajdeni, udhëheq tashmë sondazhet në rang kombëtar me gati 10 për qind avantazh.

Për këtë shkak, presidenti aktual prej ditësh ka intensifikuar fushatën politike dhe angazhoi të martën për herë të parë edhe bashkëshorten e vet, Melanian, për të tubuar në favor të tij.

“Politikat e Xho Bajdenit dhe agjenda e tij socialiste do e shkatërrojnë Amerikën dhe gjithçka kemi ndërtuar në këto katër vite. Po të shihni 36 vitet e tij në Kongres dhe 8 vitet si zv.president, e kuptoni vetë se ai nuk ka çfarë t’i japë popullit amerikan,” u shpreh Zonja e Parë e SHBA-së.

Anën e demokratit, ndërkohë, e mbajti ish-presidenti Barak Obama, i cili gjatë një eventi në shtetin e Floridës ftoi qytetarët të votojnë për të ndalur hovin e Trampit ndryshe nga viti 2016.

“Më shumë se 225 mijë veta kanë vdekur nga koronavirusi. Mbi 100 mijë biznese të vogla janë mbyllur. Gjysmë milion vende punë janë shkurtuar vetëm këtu, ndaj mendojini pak këto se katër vite të tilla nuk kalohen më,” theksoi Obama.

Vetë Bajdeni nga shteti i Xhorxhës tha se ai do të jetë presidenti i të gjithë amerikanëve.

“Unë po garoj me krenari si demokrat, por do qeveris si president amerikan. Do punoj si me demokratët, edhe më republikanët. Do punoj po aq fort për ata që nuk më përkrahin, si për ata që më duan,” deklaroi ish-zv.presidenti.

SHKARKO APP