SHBA – Ndalimi i transgjinorëve në ushtri, urdhri i Trump sjell konfuzion
Urdhri ekzekutiv i Presidentit Trump për ndalimin e transgjinorëve në ushtrinë amerikane ka shkaktuar konfuzion për të paktën 4.000 antarë që i përkasin këtij komuniteti dhe që shërbejnë për forcat e armatosura. Vendimi i liderit të Uashingtonit parashikon se transgjinorët nuk do të pranohen më në ushtri, por s’dihet ende se si do të veprohet me personelin aktiv. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, deklaroi se vendimi përfundimtar do të merret pas një konsultimi me Pentagonin.
Shtëpia e Bardhë nuk e ka vendosur ende mënyrën se si do t’a zbatojë urdhërin e Presidentit, Donald Trump, për ndalimin e transgjinorëve në ushtrinë amerikane, gjë që ka shkaktuar konfuzion në rradhët e personalit aktiv që aktualisht shërben për forcat e armatosura.
Paqartësitë u shtuan në momentin që zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, deklaroi se administrata do të diskutojë me Pentagonin dhe më pas do të merret një vendim përfundimtar.
Aktualisht sipas agjensive private që merren me statistika, në të gjithë ushtrinë amerikane ka nga 4.000 deri në 10.000 antarë transgjinorë të personalit ushtarak.
Për këtë arsye, shumë prej tyre kanë paqartësi se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.
Ndërkohë, vendimi i Donald Trump ka shkaktuar një reagim negativ edhe për sa i përket organizatave që mbrojnë të drejtat e njeriut si dhe ato të komunitetit LGBT.
Sipas tyre, urdhëri i Presidentit është diskriminues dhe duhet të tërhiqet në mënyrë të menjëhershme nga lideri i Shtëpisë së Bardhë.
Megjithatë, ende nuk dihet nëse ndonjë subjekt i tillë do të ndjekë rrugën ligjore për të kundërshtuar masën e prezantuar së fundmi nga administrata amerikane.
Shtëpia e Bardhë arsyetoi se vendimi për të përjashtuar transgjinorët erdhi për të kursyer shpenzimet shëndetësore të personelit ushtarak transgjinor.
Sipas një përllogaritjeje të agjensive private, me shkurtimin e trasngjinorëve, të ardhurat që do të kursehen përmes kësaj skeme nuk janë më shumë se 8.4 milionë dollarë.
KOHA JONË SONDAZH

