SHBA ndërmerr sulme kundër Shtetit Islamik në Nigeri
Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme ajrore kundër militantëve të lidhur me grupin Shteti Islamik (IS) në veriperëndim të Nigerisë, ku këta militantë, të njohur lokalisht si Lakurawa, kanë kërkuar të vendosin një bazë. Kampet e grupit në shtetin Sokoto, pranë kufirit me Nigerin, u goditën, sipas ushtrisë amerikane. Numri i viktimave nuk është i qartë, por zyrtarë amerikanë dhe nigerianë konfirmojnë se militantë janë vrarë. Presidenti amerikan Donald Trump i cilësoi sulmet e Ditës së Krishtlindjeve si “vdekjeprurëse” dhe i etiketoi grupet si “plehra terroriste”, duke thënë se kishin “shënjestruar dhe vrarë me egërsi, kryesisht, të krishterë të pafajshëm”.
Megjithatë, Ministri i Jashtëm i Nigerisë, Yusuf Maitama Tuggar, i tha BBC-së se ishte një “operacion i përbashkët” dhe “nuk kishte të bënte me një fe të caktuar”. Tuggar theksoi se sulmet ishin planifikuar “prej kohësh” duke përdorur informacione të ofruara nga Nigeria dhe nuk përjashtoi sulme të mëtejshme. Qeveria nigeriane ka luftuar prej kohësh grupe të ndryshme xhihadiste, përfshirë Boko Haram dhe fraksione të lidhura me IS, kryesisht në verilindje. Por, në vitet e fundit, grupi Lakurawa ka kërkuar të vendosë një bazë në shtetin veriperëndimor Sokoto, duke imponuar ligjet e tyre sociale.
Administrata Trump ka akuzuar më parë qeverinë nigeriane për dështimin në mbrojtjen e të krishterëve nga sulmet xhihadiste, duke e cilësuar Nigerinë si një “vend me shqetësim të veçantë” për shkelje të rënda të lirisë fetare. Ushtria amerikane ishte urdhëruar të përgatitej për ndërhyrje në Nigeri në nëntor. Nigeria, vendi më i populluar i Afrikës me rreth 220 milionë banorë, është e ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë mes të krishterëve dhe myslimanëve. Grupet xhihadiste kanë shkaktuar kaos për më shumë se një dekadë, duke vrarë mijëra njerëz, shumica prej të cilëve myslimanë, sipas Acled. Këto sulme në Nigeri shënojnë ndërhyrjen e dytë të madhe amerikane kundër IS në javët e fundit, pas një sulmi masiv në Siri.
KOHA JONË SONDAZH

