SHBA solidarizohet me shtetet fqinje, shpërndan 4 milionë vaksina “AstraZeneca”!

Shtetet e Bashkuara do të ndajnë katër milionë vaksina AstraZeneca kundër koronavirusit për fqinjët e tyre, Kanadanë dhe Meksikën, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë.

Kjo është hera e parë që SHBA-ja furnizon direkt me vaksina një vend tjetër.

Kanadaja dhe Meksika e kanë miratuar AstraZenecën, por SHBA-ja jo.

Megjithatë, SHBA-ja ka rezerva të kësaj vaksine.

Duke bërë publik planin e shpërndarjes, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se 2.5 milionë vaksina do të shkojnë në Meksikë dhe 1.5 milion në Kanada.

SHBA-ja ka 7 milionë doza të AstraZenecës.

“Nëse kemi teprica, ne do t’i ndajmë ato me pjesën tjetër të botës”, ka thënë javën e kaluar presidenti amerikan, Joe Biden.

Në bazë të marrëveshjes, Kanadaja dhe Meksika duhet t’ia kthejnë SHBA-së çdo dozë që u tepron.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, mbi 12 për qind e amerikanëve tashmë janë vaksinuar.

Tri vaksinat kundër koronavirusit, të miratuara në SHBA, janë: Pfizer/BioNTech, Moderna dhe Johnson&Johnson.

Biden ka thënë se deri më 1 maj, secili amerikan mbi 16 vjeç do të mund të marrë vaksinën.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i goditur në botë nga koronavirusi. Mbi 29.6 milionë njerëz atje janë infektuar dhe afro 540,000 kanë humbur jetën./Rel

SHKARKO APP