SHBA tërheq diplomatët nga Kuba, dyshohet se kanë rënë pre e ‘sulmeve zanore’
Si pasojë e disa sulmeve të dyshuara me valë zanore, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të tërheqin shumicën e diplomatëve ameriakanë në Kuba, ndërsa ngjarja duket se ka dobësuar edhe më tej marrëdhëniet e brishta mes dy vendeve. Departamenti i Shtetit njoftoi se në selinë diplomatike, nga tani e tutje do të qëndrojnë vetëm përfaqësuesit e nivelit të lartë, ndërsa konfirmohet shkurtimi drastik i zyrtarëve të tjerë.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur që të tërheqin shumicën dërmuese të stafit diplomatik në Kuba, pas raportimeve se këta të fundit mund të kenë rënë pre e të ashtëquajturave sulme zanore.
Ngjarja misterioze ka shkaktaur një debat madhor dhe ka rrezikuar shëmbjen totale të marrëdhënieve të brishta mes dy vendeve që tradicionalisht kanë patur përplasje, por Havana zyrtare ka mohuar përfshirjen në incidentet e regjistruara.
Uashingtoni bën të ditur se si pasojë e disa sulmeve që janë organizuar me anë të valëve zanorë, diplomatët kanë patur komplikacione të ndryshme shëndetsore që janë manifestuar me simptoma si dhimbja e kokës, humbja e dëgjimit, temperaturë si dhe marrje mendsh.
Ky problem nuk është shfaqur vetëm tek diplomatët, por edhe tek një pjesë e turistëve amerikanë që kanë vizituar Kubën dhe kanë qëndruar në hotele.
Për këtë arsye, një paralajmërim ka shkuar edhe për qytetarët e thjeshtë që mund të kenë planifikuar të pushojnë në Havana apo qytete të tjera kubane.
Departamenti amerikan i Shtetit raportoi se nga ambasada amerikane në Havana do të largohen shumica e stafit jo-thelbësor, për të qëndruar vetëm përfaqësuesit e nevojshëm.
Presidenti Raul Castro ka dhënë garancinë e tij personale se këto sulme nuk janë një vepër e Havanës zyrtare, por ende nuk dihet nëse do të ketë masa të tjera nga amerikanët.
Gjatë Presidencës Obama, marëdhëniet mes dy vendeve pësuar një afrim pas dekadash mungesë komunikimi, ndërsa Presidneti Trump ka premtuar se do të kthejë mbrapsht disa politika. Megjithatë, ai ka konfirmuar se nuk do të mbyllë ambasadën në Havana.
KOHA JONË SONDAZH

