SHBA thirrje Koresë së Veriut për bisedime: Ta mbarojmë këtë punë

Ndërsa mbetet më shumë se një javë nga afati që Koreja e Veriut i ka lënë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për marrëveshje dypalëshe, Uashingtoni apelon për dialog dhe shmangien e provokacioneve.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë apel Koresë së Veriut të rikthehet në tryezën e negociatave, për të zgjidhur me diplomaci ngërçin rreth marrëveshjes për armët bërthamore dhe sanksionet.

I dërguari special i Amerikës, Stefën Bigën, deklaroi të hënën përkrah zyrtarëve të lartë të Koresë Jugore se Pheniani duhet të shmangë provokacionet.

“Sot po u flas drejtpërdrejt homologëve tanë në Korenë e Veriut. Le ta mbarojmë këtë punë. Ne këtu jemi dhe ju e dini si të na gjeni. Jemi plotësisht të vetëdijshëm për potencialin e provokacioneve në ditët që do vijnë, por kjo nuk do e ndihmonte paqen afatgjatë në gadishullin korean,” deklaroi Bigën.

Ai komentoi edhe ultimatumin e dhënë nga Pheniani për palën amerikane, që të propozojë një pakt të ri brenda Krishtlindjeve për të evituar konfliktin.

“Në këtë pikë dua të jem absolutisht i qartë. Shtetet e Bashkuara nuk kanë ultimatum. Kemi vetëm objektivin që të përmbushim zotimet e ndërmarra nga dy liderët në samitin historik të Singaporit,” shtoi diplomati amerikan.

Uashingtoni dhe Pheniani nuk po e avancojnë çështjen e denuklearizimit edhe pas tri takimeve dypalëshe mes presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit koreanoverior, Kim Xhong-un.

Për shkak të ngërçit dhe pasojave që po i sjell ekonomisë, pala koreane ka shtuar testimin e armëve të ndaluara dhe sulmet verbale kundër Uashingtonit e personalisht ndaj presidentit Trump.

SHKARKO APP