SHBA – Trump nën sulmin e kritikëve, pas ngjarjes në Virxhinia
Politikanë të të gjithë krahëve janë kthyer njëzëri kundër presidentit Donald Trump, i cili nuk dënoi grupet e supremacisë së bardhë dhe nuk përdori termin “terrorizëm i brendshëm” pasi një grua u vra kur një makinë u përplas me protestuesit anti-racizmit gjatë fundjavës.
Të shtunën, presidenti dënoi dhunën dhe urrejtjen në fjalën e tij, por ai nuk veçoi supremacistët e bardhë, përpjekja e të cilëve për organizimin e një tubimi madhor në Charlottesville, Virxhinia rezultoi në shpalljen e gjendjes së emergjencës nga guvernatori Terry McAuliffe.
Prishja e rregullit përfshi dhe përplasjet me anti-protestuesit lanë më shumë se 30 persona të plagosur.
Ndërkohë, gruaja e vrarë u identifikua si 32-vjeçarja Heather Heyer, një asistente ligjore që vazhdimisht kishte përkrahur çështjet e të drejtave civile në mediat sociale.
Departamenti amerikan i Drejtësisë ka hapur tashmë një hetim të të drejtave civile për vdekjen e saj.
20-vjeçari James Fields nga Maumee, Ohio është akuzuar për vrasjen e saj. Në sajë të fotografive nga vendngjarja, Fields është parë teksa qëndronte me një grup neo-nazist dhe mban një mburojë të dekoruar me një emblemë të ekstremit të djathtë.
Kritikave për mosfajësimin e drejtpërdrejtë të supremacistëve të bardhë, Shtëpia e Bardhë ju përgjigj me një deklaratë ku thuhej se presidenti “kishte dënuar ashpër të gjitha format e dhunës, urrejtjes dhe fanatizmit, ku padyshim përfshiheshin supremacistët e bardhë, neo-nazistët dhe gjithë grupet ekstremiste”.
Një retorikë më e fortë u përdor nga zv/presidenti Mike Pence në një deklaratë pas asaj të Shtëpisë së Bardhë.
Pence u shpreh se ata nuk e tolerojnë urrejtjen dhe dhunën e ardhur nga supremacistët e neo-nazistët, grupe që nuk kanë vend në jetën publike dhe debatin amerikan.
KOHA JONË SONDAZH

