SHBA, zyrtarët paralajmërojnë për një përhapje të koronavirusit

Zyrtarët e shëndetësisë në SHBA paralajmëruan amerikanët të përgatiten për një përhapje të mundshme të koronavirusit.

“Çrregullimet në jetën e përditshme mund të jenë të rënda” në SHBA,  paralajmëroi të martën në një konferencë shtypi Nancy Messonnier,  drejtore e Qendrës Kombëtare të Imunizimeve . Shkollat në disa zona mund  të detyrohen të mbyllen, po ashtu edhe bizneset”, tha ajo.

Zonja Messonnier tha se zyrtarët e shëndetit publik nuk e dinë nëse  përhapja e sëmundjes në Shtetet e Bashkuara do të jetë e butë apo e  rëndë, por se amerikanët duhet të jenë gati për çrregullime të  konsiderueshme në jetën e tyre të përditshme.

“I kërkojmë publikut amerikan të përgatitet për pritshmërinë se kjo mund të jetë diçka e rëndë,” tha Messonier.

“Çështja nuk është nëse do të ndodhë në SHBA, por kur do të ndodhë,” tha ajo.

PRESIDENTI DHE DEMOKRATËT DEBATOJNË

Presidenti amerikan Donald Trump tha të martën se Shtetet e Bashkuara  e kanë vënë koronavirusin “shumë mirë nën kontroll” brenda kufijve të  tyre. Ai bëri komentet edhe pse administrata po u kërkon ligjvënësve 2.5  miliardë dollarë fonde emergjente për t’u përballur me këtë problem.

Demokratët e Kongresit thonë se administrata Trump nuk ka arritur t’i  përgjigjet me shpejtësi përhapjes së virusit në botë, madje se vetë  presidenti përhapi informacion të rremë kur tha se koronavirusi do të  ndalet në prill kur moti të ngrohet. Kriza globale e shëndetit po bëhet  një tjetër betejë në luftën midis Presidentit Trump dhe Kongresit, pas  dështimit të përpjekjeve të demokratëve për ta larguar presidentin me  anë të një gjykimi në senat.

Presidenti Trump tha të martën gjatë një konference për shtyp në Nju  Delhi se ndërsa SHBA janë mirë përsa i përket kontrollit, “ne bëjmë  biznes me shumë vende të tjera, punojmë me vendet e tjera, ne duam që  vendet e tjera të jenë të kënaqura dhe të shëndetshme.”

Garancitë e dhana së fundmi nga presidenti në lidhje me koronavirusin  erdhën pas një dite të vështirë në tregun e aksioneve. Dow Jones pati  rënien e tij më të madhe ditore që nga viti 2018, mes frikës globale në  rritje për përhapjen e koronavirusit. Shtetet e Bashkuara kanë 14 raste  të konfirmuara të virusit, sipas Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve.

Kërkesa e fondit të urgjencës prej 2.5 miliardë dollarësh, e cila iu  dërgua Kongresit të hënën, ndahet midis 1,25 miliardë dollarëve si fonde  të reja urgjente dhe 1,25 miliardë dollarë fonde që do të devijohen nga  programet e tjera federale. Administrata po kërkon gjithashtu që  ligjvënësit amerikanë të transferojnë 535 milion dollarë fonde të  destinuara për trajtimin dhe parandalimin e virusit Ebola drejt  përballimit të koronavirusit.

Ligjvënësit demokratë thanë se kjo strategji është e pamjaftueshme.

“Tepër pak, tepër vonë,” tha udhëheqësi i pakicës së Senatit, Chuck  Schumer lidhur me kërkesën e presidentit. “Nuk kemi parë asnjë shenjë që  Presidenti Trump të ketë ndonjë plan ose urgjencë për t’u marrë me  çështjen e koronavirusit – ne kemi nevojë për udhëheqje të vërtetë dhe  sa më shpejt.”

Në një koment në Twitter të martën, Presidenti Trump e karakterizoi  kritikën e zotit Schumer si diçka që bëhet “thjesht për qëllime  publiciteti”.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha se kërkesa nuk  ka kuptim pas shkurtimit të buxheteve të propozuar nga administrata  Trump për vitin 2021 për Qendrën për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC),  Instituteve Kombëtare të Shëndetit (NIH) dhe agjencitë e tjera kryesore  që trajtojnë kërcënimin në rritje.

“Amerikanët kanë nevojë për një përgjigje të koordinuar, plotësisht  të financuar,” tha zonja Pelosi në një deklaratë. “Kërkesa e Presidentit  për financim për t’iu përgjigjur koronavirusit është e vonuar dhe  plotësisht e pamjaftueshme përballë përmasave të kësaj emergjence.”

Ajo tha se Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga demokratët, do të  punojë shpejt për të nxjerrë paketën e vet financiare që “mban parasysh  plotësisht shkallën dhe seriozitetin e kësaj krize të shëndetit  publik.”

Por republikanët e Senatit thonë se ata janë të kënaqur me përgjigjen  e administratës pas një informimi me dyer të mbyllura për koronavirusin  të martën.

“Administrata është në krye të punës,” tha senatori republikan Bill  Cassidy, i cili është mjek me profesion. “Ata po përshtaten siç duhet,  duke u përpjekur t’i ndajnë mjetet financiare atje ku ato janë më të  nevojshme.”

Ligjvënësi Cassidy vuri në dukje se nëse kërkesa e tanishme e  administratës për financime urgjente nuk është e mjafshtueshme, mund të  caktohen fonde shtesë.

“Le të shohim se si do të evoluojnë gjërat dhe atëherë mund të shtojmë para të tjera,” tha ai.

Senatori Demokrat Dick Durbin tha se projektbuxheti i administratës  për vitin 2021 ishte “plotësisht i pajustifikuar” përsa i përket  shkurtimit të fondeve për agjencitë kryesore shëndetësore të vendit,  është e vështirë të thuhej nëse kërkesa për financim urgjent do të ishte  e mjaftueshme për të përballuar kërcënimin.

“Nuk e di nëse është e mjaftueshme,” u tha ligjvënësi Durbin të martën gazetarëve.

/ Marrë nga VOA

SHKARKO APP