Shefi i Google: Inteligjenca artificiale do kontroll si armët bërthamore

Shqetësimet që ka rreth inteligjencës artificiale janë duke e mbajtur shefin ekzekutiv të Google zgjuar natën. Sundar Pichai është shprehur se kjo teknologji mund të rezultojë shumë e dëmshme nëse zhvillohet në mënyrë të gabuar.
Ai bëri thirrje për një kuadër rregullator për inteligjencën artificiale, të ngjashme me atë për kontrollin e armëve bërthamore. Kreu i Google thekson gjithashtu se konkurrenca në industrinë e teknologjisë mund të lërë mënjanë shqetësimet për çështjet e sigurisë rreth kësaj çështjeje.
Në një intervistë të dhënë për 60 Minutes në CBS, Pichai tha se qeveritë do të duhet të gjejnë korniza globale rregullatore krahas zhvillimit të sistemeve të Inteligjencës Artificiale.
Muajin e kaluar mijëra ekspertë, studiues dhe mbështetës të inteligjencës artificiale, përfshirë Elon Musk, kërkuan një “pauzë” gjashtëmujore në zhvillimin e teknologjisë së fuqishme të Inteligjencës Artificiale.
Kompania mëmë e Google, Alphabet, zotëron kompaninë e inteligjencës artificiale në Mbretërinë e Bashkuar, DeepMind. Google tashmë ka hedhur në treg një chatbot të inteligjencës artificiale, Bard, në tentativë për t’iu përgjigjur ChatGPT.