Shëmbet diga, 15 të vdekur, 13 të humbur dhe 14 të plagosur rëndë

Një digë u rrëzua këtë mëngjes në një minierë ari në zemër të Siberisë, duke vrarë të paktën 15 njerëz. Por numri i vdekjeve për fat të keq mund të rritet. Ministria e Emergjencave Ruse raporton se 13 persona aktualisht janë shpallur të humbur, ndërsa sipas autoriteteve shëndetësore lokale, 14 punëtorë janë shtruar në spital dhe tre prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Tragjedia ndodhi në afërsi të fshatit Shchetinkino, në rajonin e Krasnoyarsk, rreth 3,400 kilometra në lindje të Moskës. Diga në lumin Seiba u rrëzua në një periudhë reshjesh të mëdha, ndërsa uji dhe balta shkatërruan kazermat ku jetonin rreth 80 minatorë. Mbi 270 forca të ndihmës së emergjencave natyrore janë vënë në punë duke u përpjekur të gjejnë të zhdukurit apo të mbijetuarit.

Fatkeqësia e sotme është e pesta që mund të jetë shkaktuar nga shkelja e rregullave të sigurisë në minierat ruse, ku aksidentet për shkak të shembjeve dhe shpërthimeve në tunelet nëntokësore nuk janë të rralla.

SHKARKO APP