Shengen “feston” 25 vjetorin, të gjithë kufijtë e mbyllur

25 vjetori i krijimit, e gjeti të gjithë zonën Shengen të mbyllur. Vendet europiane kanë vendosur kontrollet kufitare në përpjekje për të ndaluar përhapjen e pandemisë së koronavirusit. Kufijtë u mbyllën edhe në Kinë, ku qeveria vendosi të ndalojë përkohësisht hyrjen e të gjithë të huajve, si ata me vizë apo me leje qëndrimi. 

Në 25 vjetorin e krijimit të Zonës Shengen, thuajse të gjitha vendet europiane kanë mbyllur kufijtë dhe kanë vendosur krontollet.

Këto masa janë nxitur nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit, me Europën vatër infeksioni.

Kufijtë u mbyllën edhe në Kinë. Qeveria vendosi të ndalojë përkohësisht hyrjen e të gjithë të huajve në vend, si ata me vizë apo me leje qëndrimi, për shkak të importimit të vazhdueshëm të rasteve të infektimit me kornavirus. Përjashtim nga ky rregull i ri i Pekinit bën trupi diplomatik.

Ministria e Jashtme e Kinës tha se kjo është një masa e përkohshme që lidhet me shpërthimin e koronavirusit të ri në vende të tjera, ndërkohë prej ditësh Pekini zyrtar është vënë në shënjestrën e zyrtarëve perëndimorë që akuzojnë se vendi po fsheh informacion të dobishëm në lidhje me pandeminë.

Më herët Kina vendosi që të devijojë të gjitha fluturimet me origjinë nga jashtë vendit nga Pekini, drejt qyteteve më të vogla, ku të ardhurit e rinj duhet të qëndrojnë për 14 ditë në karantinë me shpenzimet e tyre.

Në pjesën tjetër të botës, Italia vijon të përballet me një bilanc lufte. Në 24 orët e fundit autoritetet raportuan 712 viktima, duke e ngjitur numrin e përgjithshëm në 8,215, ndërsa numri i përgjithshëm i infektimeve arriti në mbi 80 mijë.

Në Spanjë, gjithsej 4,089 kanë humbur jetën pas infektimit me covid-19. Parlamenti i vendi ka zgjatur periudhën e emergjencës shtetërore deri më 12 prill në përpjekje për të frenuar pandeminë. Ndërkohë gazeta El Pais raportoi se reagentët e rinj të dërguar nga Kina nuk po funksionojnë.

Shpërthim epidemie vërehet edhe në Belgjikë. Vetëm në 24 orët e fundit u raportuan 1,298 raste të reja infeksionesh ndërsa 220 vetë kanë humbur jetën. Zyrtarët thonë se ky është vetëm fillimi.

SHKARKO APP