Shënohet viktima e parë nga koronavirusi në qeverinë serbe, ndërron jetë Sekretari i Ministrisë së Mjedisit
Një pjesëtar i qeverisë serbe ka vdekur pasi është prekur nga koronavirusi i ri.
Branislav Blazic, ka qenë sekretar shtetëror në Ministrinë e Mjedisit. Ai është zyrtari i parë serb që ka vdekur nga kjo sëmundje.
Politikani i krahut të djathtë, Blazic ka qenë edhe bashkëthemelues i Partisë Progresive.
Ai ka shërbyer si ministër i Mjedisit në fund të viteve 1990 dhe i është kthyer sërish politikës në vitet e fundit, së fundmi si sekretar shtetëror.
Ky lajm vjen në kohën e rritjes së numrit të të infektuarve në këtë shtet.
Serbia ka raportuar për 1,060 raste me koronavirus dhe pothuajse 30 vdekje deri më tani.
Në këtë shtet është duke u zbatuar edhe masa e gjendjes së jashtëzakonshme.