”Shi” eurosh për 50,000 punonjësit e BE-së, rriten me 7% pagat
2023 nis me lajme të mira për 50,000 punonjësit e BE-së. Pagat e tyre do të rriten me 7 për qind, sipas asaj që raporton gazeta gjermane Bild. Edhe pse zyrtarët e BE-së kanë paga të majme, tashmë atyre u është aplikuar një rregullim automatik për shkak të rritjes së kostos së jetesës.
Paga bazë e presidentes 64-vjeçare të Komisionit Europian, Ursula von der Leyen do të rritet me 2044 euro krahasuar me vitin 2021, duke arritur në 31250 euro. Ajo tashmë mund të bëhet e para kryetare e KE-së, me një pagë që kalon 30 mijë euro.
Nga ana e tyre, komisionerët e BE -së do të marrin 1667 euro shtesë me pagën e tyre prej 25 475 euro. Pagat e 705 eurodeputetëve do të rriten me gati 700 euro, duke arritur në 10,495 euro në muaj dhe për herë të parë do të tejkalojnë 10 mijë euro.
Për nëpunësit civilë të Parlamentit Europian do të kenë edhe bonus. Paga bazë më e ulët e një punonjësi në Parlamentin Evropian do të rritet me 214 euro, duke arritur në 3 272 euro dhe më e larta me 1 483 euro duke arritur në 22 646 euro.