Shihni fermën e parë lundruese në botë, është ndërtuar në Roterdam të Holandës
Ferma e parë lundruese në botë në qytetin holandez të Roterdamit mbështet vetëqëndrueshmërinë dhe riciklimin në bujqësi dhe blegtori.
Ferma lundruese me sipërfaqe 1 200 metra katrore, e ndërtuar në kanalin Merwehaven në 2018, e cila në maj 2019 u vu në përdorim, shquhet si një zgjidhje e rëndësishme për holandezët që kanë mungesë toke.
Minke Van Wingerden, një nga themelueset e fermës, tha se objekti funksionon me kapacitet të plotë me rreth 40 lopë dhe se nga çdo lopë marrin nga 20 deri në 25 litra qumësht në ditë.
Qumështi, kosi, gjalpi dhe djathi janë disa nga produktet e qumështit që kjo fermë ofron për klientët në dyqanin e saj, por edhe në raftet e dyqaneve të tjera të Roterdamit. Ferma gjithashtu prodhon dhe shet plehra organike.
Fakti që ferma ndodhet në ujë, ofron përfitime për fermerët për shkak të afërsisë së saj me qendrën e qytetit, dhe gjithashtu mund të shërbejë si një model blegtoral për një të ardhme që është gjithnjë e më e pasigurt për shkak të ndryshimeve klimatike.
Të gjitha mbeturinat e mbledhura nga restorantet dhe furrat e bukës aty pranë dhe e ushqimit të mbledhur në Roterdam përdoren për të ushqyer lopët, ndërkaq Van Wingerden tha se mbetjet e ushqimit të mbledhur përbëjnë rreth 60 për qind të ushqimit të lopëve.
Van Wingerden tha gjithashtu se ata mbledhin ujin e shiut në çatinë e fermës, i cili përdoret si pije për lopët. Pikërisht pranë fermës lundruese është një panel diellor lundrues. Energjia e përftuar nga ky panel plotëson ndjeshëm nevojat e fermës.
Duke vënë në dukje se puna në fermën lundruese është kryesisht automatike dhe se lopët milen dhe pastrohen nga robotë automatikë, Van Wingerden tha se lopët shkojnë vetë në repartin e mjeljes, ku robotët pompojnë qumështin dhe e dërgojnë atë për përpunim të mëtejshëm.
Van Wingerden gjithashtu deklaroi se plehu i thatë përftohet duke ndarë plehun e lopës nga ureja duke përdorur një motor pastrimi.
“Pranë kësaj ferme lundruese do të ndërtojmë një objekt të ri ku do të zbatohet një sistem vertikal i kultivimit të llojeve të ndryshme të perimeve. Qëllimi është të rriten perime dhe barishte të shumta në një mënyrë shumështresore dhe vertikale pa zënë një sipërfaqe të madhe toke”, tha Van Wingerden.
Duke u shprehur i kënaqur me faktin se ferma lundruese është e njohur në botë, Van Wingerden theksoi se projekte të ngjashme mund të zbatohen në gjithë Holandën dhe më gjerë.
Pasojat e ndryshimeve klimatike kërcënojnë sigurinë ushqimore në Holandë, ku një pjesë e konsiderueshme e territorit të saj është nën nivelin e detit dhe ka mungesë të tokës bujqësore.