Shkarkimi i guvernatorit turk, monedha e Turqisë humb gjysmën e vlerës kundrejt dollarit amerikan
Shkarkimi i papritur i drejtuesit të Bankës Qendrore të Turqisë shkaktoi të hënën zhvlerësimin e lirës turke me gati 16 për qind.
Për të reduktuar humbjet, Bursa e Turqisë pezulloi përkohësisht veprimtarinë e saj.
Guvernatori Naxhi Abal u zëvendësua në fundjavë nga presidenti Rexhep Tayyp Erdoan.
Ai ishte thirrur 5 muaj më parë për të zbatuar politika monetare të cilat do të ulnin inflacionin.
Por sipas qeverisë, ngritja e vazhdueshme e normës bazë të interesit nga ana e bankës, edhe pse një lëvizje tradicionale, krijoi efektin e kundërt dhe e ka çuar në nivelin 15 për qind.
Profesori Shahap Kavxholu, i cili e pason Abalin, ka teori të njëjtë me qeverinë, se rritja e normës bazë rrit edhe inflacionin.
Efektet e zhvlerësimit të monedhës kundrejt dollarit po i ndjejnë përditë qytetarët.
“Çfarë po ndodh është befasuese, por jemi mësuar. Dollari bie dhe rritet shpejt, e në fund jemi ne ata që vuajnë,” thotë Tarik Ardic, pensionist.
“Sigurisht që jemi prekur të gjithë. Nuk gjejmë dot më as punë. Kur dalim për të blerë, çmimet ndryshojnë gjithë kohën. S’e di si do ia bëjmë,” thotë Ahmeti, i papunë.
Ekonomistët thonë se ulja e normës bazë të interesit nga niveli aktual prej 19 për qind, do i largonte investitorët, do e rriste më tej inflacionin si edhe paqëndrueshmërinë e lirës turke, e cila ka humbur gjysmën e vlerës që nga viti 2018.