Shkencëtarët në kërkim të burimit të Covid-19, qeveria kineze kufizon hetimet

Pas thuajse një viti që prej kohës kur personi i parë në botë u infektua me koronavirusin, të paktën 1.7 milion njerëz kanë humbur jetën nga virusi në të gjithë botën që nga ajo kohë.

Sipas Associated Press, qeveria kineze po kontrollon rreptësisht të gjitha kërkimet për origjinën e virusit, ndërsa promovon teoritë se pandemia e ka origjinën diku tjetër.

Qeveria kineze po monitoron gjetjet e shkencëtarëve dhe ka urdhëruar që botimi i çdo pune kërkimore të miratohet së pari nga një strukturë e re e menaxhuar nga kabineti i Kinës nën drejtimin e drejtpërdrejtë të Presidentit Xi Jinping, sipas dokumenteve të brendshme të marra nga Associated Press.

Shkencëtarët në të gjithë botën kanë kërkuar origjinën e virusit tek burimi i tij i mundshëm, që është lakuriqi i natës.

Gati dy kilometra larg Wuhan-it që dyshohet se është qyteti origjinë i virusit, lakuriqët e natës banojnë në një labirint shpellash nëntokësore gëlqerore në provincën Yunnan në Kinën jugore.

Kodi gjenetik i koronavirusit është shumë i ngjashëm me viruset e lakuriqëve dhe shkencëtarët dyshojnë se Covid-19 kaloi tek njerëzit nga një lakuriq nate ose nëpërmjet një kafshe ndërmjetëse.

Sot, zona në Yunnan vëzhgohet nga afër nga studiuesit. Agjentët e sigurisë ndoqën ekipin e Associated Press në tre vende dhe ua ndaluan gazetarëve të vizitonin shpellën. Fshatarët gjithashtu krijuan një bllokadë në rrugë.

Kërkimi filloi në tregun Huanan të ushqimeve të detit në Wuhan ku u zbuluan shumë nga rastet e para të koronavirusit tek njeriu.

SHKARKO APP