Shkencëtarja britanike fle vetëm dy orë në ditë, në kërkim të vaksinës kundër koronavirusit
Një shkencëtare ka bërë me dije se po fle vetëm dy orë në ditë, duke qenë se është gjatë gjithë kohës duke punuar për të gjetur një kurë dhe vaksinë kundër koronavirusit. Kate Broderick, nga Skocia, bashkë me ekipin e saj po punon natë e ditë për të mos humbur kohë dhe për të gjetur ilaçin e duhur ndaj sëmundjes vdekjeprurëse.
Studiuesja punon për firmën farmaceutike Inovio me bazë në San Diego. Duke folur për “The Times”, 42 vjeçarja shprehet se e ndjen si përgjegjësi personale se duhet të bëjë punën e saj dhe gjithçka që ka në dorë për të ndaluar vdekjet e tjera në botë.
Ajo ka thënë:
Kam gjithë jetën që punoj për të bërë diferencën për probleme të tilla dhe do të bëj gjithçka që mundem dhe kam në dorë. Momentalisht, unë për vete po mjaftohem të fle vetëm dy orë gjatë ditës”.
Mjekja Broderick ka kaluar 20 vite të jetës së saj duke luftuar sëmundjet më vdekjeprurëse që kanë prekur planetin tonë, përfshirë Ebolën dhe virusin Zika. E diplomuar në Glasgow University, mjekja tashmë shpreson që shumë shpejt të ketë në dorë vaksinën kundër koronavirusit.
Ajo thotë me bindje se brenda katër muajve të ardhshëm kjo vaksinë do të jetë gati për tu hedhur në treg e për t’u shpërndarë në te gjithë botën. Kate tha për “The Herald”:
“Nga momenti që morëm një sekuencë ADN-je të virusit Zika, deri në momentin që përdorëm vaksinën për herë të parë tek pacientët, u deshën të kalonin 7 muaj. Ishte një rekord. Këtë herë po mundohemi të gjejmë vaksinën brenda vetëm 4 muajsh, që i bie të jetë gati gjysma e kohës”.