Shkolla e horrorit në Beograd

Nga Enver Robelli –
Që nga fundjava Serbinë e ka përfshirë një debat mbi keqpërdorimet seksuale në një shkollë aktrimi në Beograd. Tri vite pas debatit të madh në mbarë botën mbi keqpërdorimet seksuale të burrave me pushtet, në Serbi aktorja 25-vjeçare Milena Radulloviq ka marrë guximin dhe e ka denoncuar ish-profesorin e saj të aktrimit, Mirosllav Aleksiq. «Më ka dhunuar kur isha 17-vjeçare», tha Radulloviq, e cila ka luajtur edhe në serinë «Besa» (ku luajnë edhe disa aktorë shqiptarë). Pas intervistës për krimet e Mirosllav Aleksiqit kanë raportuar edhe gra e vajza të tjera. Aleksiq është arrestuar. Shkollën e tij e kanë ndjekur mbi 3000 të rinj (djem e vajza). Sipas aktores Radulloviq drejtori i shkollës Mirosllav Aleksiq pas regjistrimit të fëmijëve në shkollë u thoshte prindërve se nuk kanë çfarë kërkojnë më në atë shkollë. Vajzat e moshës 13-14 vjeçare ai i pyeste nëse kanë pasur seks dhe nëse kjo u ka pëlqyer. Po ashtu ua bënte të qartë se mësimin duhet ta ndjekin të veshura me fustane. Të hënën në ballinat e gati të gjitha gazetave serbe janë botuar fotografitë e aktores dhe regjisorit të dyshuar për krime të llahtarshme seksuale. Në vitin 1995 Aleksiq ka qenë regjisor i një filmi mbi dasmën e kriminelit të luftës Arkan dhe këgëtares së turbofolkut Ceca. Më 1993 Aleksiq ishte kandidat i partisë së Arkanit për parlamentin serb. Me intervistën e saj të guximshme Milena Radulloviq ka hapur «kutinë e Pandorës» në Serbi. Disa gazetarë serbë kanë shkruar se ky është skandali i vitit në Serbi.

SHKARKO APP