Shkon në 114 mijë numri i të infektuarve me koronavirus në botë

Sipas faqes për statistika, Worldometer, më shumë se 114 mijë persona janë infektuar në mbarë botën me koronavirus.

Numri i personave të vdekur ka shkuar në 4 mijë e 27, përfshirë 3 mijë e 136 në Kinë, ku fillimisht kishte nisur përhapja e virusit të ri në dhjetor të vitit të kaluar.

Jashtë Kinës, nga virusi Covid-19 kanë vdekur qindra të tjerë, përfshirë 463 në Itali, 237 në Iran, 54 në Korenë Jugore dhe 27 në Shtetet e Bashkuara.

Sidoqoftë, më shumë se 64 mijë persona janë liruar nga spitalet pasi janë shëruar nga infeksioni, shkruan “Anadolu”.

Sipas kësaj faqeje, koronavirusi është përhapur në më shumë se 115 shtete dhe territore. Mbi 9 mijë persona janë infektuar në Itali, më shumë se 7500 në Korenë Jugore dhe mbi 7100 në Iran.

Si pjesë të masave për luftimin e përhapjes së virusit të ri, qeveritë në mbarë botën i kanë ndërprerë fluturimet me vendet e prekura dhe i kanë mbyllur kufijtë për periudha të përkohshme.

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom, tha se tashmë rreziku për pandemi është shumë i mundshëm.

SHKARKO APP