Shkon në 12 numri i viktimave nga koronavirusi në SHBA, Shtëpia e Bardhë: Kemi mungesë testesh
Zyrtarë në Shtetet e Bashkuara pranuan se ky vend nuk ka teste të mjaftueshme për koronavirus, ndërkohë që numri i njerëzve të prekur me të vazhdon të rritet, raporton BBC.
Nënpresidenti Mike Pence tha se administrata e presidentit Donald Trump nuk do të mund të përmbushë objektivin e saj për të kryer një milion teste këtë javë.
Por, shtoi se deri në fund të javës së ardhshme, 1.2 milionë amerikanë do të mund të të testohen.
Kongresi, në anën tjetër, u mblodh me shpejtësi të pazakonshme për të miratuar një paketë emergjente ndihmash, për të luftuar shpërthimin e koronavirusit.
Në SHBA, numri i të vdekurve aktualisht është 12, ndërsa të infektuar janë mbi 200.