Shoferi i dehur përplas grupin e turistëve. 6 të vdekur dhe 11 të plagosur
Një aksident i rëndë rrugor ndodhi gjatë natës në Lutago të Italisë, ku për pasojë humbën jetën 6 persona dhe u plagosën 11 të tjerë.
Ngjarja ndodhi diku rreth orës 01:15 të natës, ku një makinë me shpejtësi të lartë goditi një grup njerëzish në buzë të rrugës, të cilët ishin të gjithë turistë të rinj gjermanë.
Teksa dinamika e aksidentit mbetet e paqartë, nisur nga çfarë raportojnë mediave italiane, pasi kaluan mbrëmjen në një klub, grupi i turistëve gjermanë ndodhej pranë një autobusi turistik kur u godit nga një makinë, e cila drejtohej nga një 28-vjeçar, që rezultoi me përmbajtje shumë të lartë të alkoolit. I riu është dërguar në spitalin Brunico për t’iu nënshtruar analizave.
Nga 11 të plagosurit, tre janë në gjendje të rëndë, mes tyre një grua. Kjo e fundit u transportua me helikopter gjatë natës, drejt klinikës universitare të Innsbruck, Austri.