Shoqata e Gjykatësve Federalë, mbledhje urgjente për ndërhyrjet në gjyqësor

Një shoqatë kombëtare e gjyqtarëve federalë do të zhvillojë një takim urgjent të mërkurën, pas ndërhyrjes së zyrtarëve të Departamentit të Drejtësisë në një çështje që përfshin një bashkëpunëtor të ngushtë të Presidentit Donald Trump, i tha Zërit të Amerikës kreu i organizatës.

Cynthia Rufe, presidente e shoqatës, tha se gjyqtarët janë “të shqetësuar për sulmet ndaj tyre” dhe se kjo do të jetë çështja kryesore që do të diskutohet në takim.

Gjyqtarja nuk pranoi të jepte hollësi të tjera, por tha se juristët “nuk mund të prisnin” deri në mbledhjen e tyre të pranverës.

Departamenti i Drejtësisë habiti komunitetin politik dhe juridik javën e kaluar kur rrëzoi vendimet e prokurorëve të tij dhe rekomandoi një dënim më të lehtë për zotin Roger Stone, mik i vjetër i Presidentit Trump, i cili është shpallur fajtor për mashtrim të Kongresit, ndërhyrje tek dëshmitarët dhe pengim të drejtësisë që lidhen me hetimin mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane.

Prokurorët kishin rekomanduar shtatë deri në nëntë vjet burg për zotin Stone, një rekomandim i bazuar në udhëzimet për dënimet që jepen për krime të tilla.

Por Departamenti i Drejtësisë rekomandoi një dënim më të lehtë pasi Presidenti Trump u ankua në një koment në Twitter se dënimi me shtatë deri në nëntë vjet do të ishte “i tmerrshëm” dhe “i padrejtë”.

Tre prokurorë të përfshirë në rastin Stone u tërhoqën nga çështja, ndërsa një i katërt dha dorëheqjen nga agjencia.

Roger Stone do të dënohet të enjten dhe gjyqtarja Amy Berman Jackson do të vendosë se sa kohë do të kalojë ai në burg.

Gjykatësja ka planifikuar një telekonferencë të martën me avokatët e përfshirë në çështjen Roger Stone, dy ditë para se ish-bashkëpunëtorit të Presidentit Trump t’i shqiptohet dënimi.

Gjykatësja Jackson është emëruar nga ish-presidenti Barack Obama dhe Presidenti Trump ka qenë kritik i madh i shumë vendimeve dhe politikave të paraardhësit të tij. Presidenti Trump u ankua javën e kaluar për vendimin e gjykatëses Jackson për të burgosur ish kryetarin e fushatës së tij, Paul Manafort në izolim dhe për mosndjekjen penale të ish-kandidates demokrate për presidente, Hillary Clinton.

Gjykatësja Rufe thotë se Shoqata e Gjykatësve Federalë nuk ka asnjë interes të përfshihet në çështjen e zotit Stone, por e mbështet gjykatësen Jackson.

“Ne jemi mbështetës të çdo gjykatësi federal që bën punën,” tha ajo.

Çështja Roger Stone ka ngritur pyetje në Kongres në lidhje me ndërhyrjen politike në atë që historikisht supozohet të jetë një gjyqësor i pavarur.

Presidenti Trump përshëndeti Prokurorin e Përgjithshëm William Barr javën e kaluar për “marrjen përsipër” të çështjes Stone. Por të dy mohojnë akuzat se Presidenti Trump i ka kërkuar prokurorit Barr të ndërhynte.

Prokurori i Përgjithshëm Barr pritet të dëshmojë në Kongres muajin e ardhshëm.

Më shumë se 2,000 ish zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë i kanë bërë thirrje zotit Barr të jap dorëheqjen, duke thënë se trajtimi nga ana e tij i çështjes Stone “hapur dhe vazhdimisht ka shpërfillur” pavarësinë e degës së gjyqësorit.

Prokurori Barr i tha kanalit ABC News javën e kaluar se postimet e Presidentit Trump në Twitter po ia “bëjnë të pamundur punën”, duke thënë se ai nuk do të “ngacmohet ose ndikohet nga askush, përfshirë Kongresin, bordet editoriale të gazetave, apo Presidentin”./VOA

SHKARKO APP