“Shpërthejnë” neonazistët në Gjermani, sulm kundër emigrantëve

Të paktën 31 agjentë kanë mbetur të plagosur nga përleshjet mes neonazistëve dhe trupave të sigurisë përpara një qendre refugjatësh në qytetin gjerman, Heidenau, pranë Dresdenit, mbrëmjen e djeshme.

Qindra njerëz kanë protestuar përpara qendrës së qytetit, duke bllokuar rrugën ku do kalonin 250 emigrantë.

 “Njëri prej tyre mbeti i lënduar rëndë”, tha policia e Dresdenit në një deklaratë për shtyp, duke shtuar se në përleshje morën pjesë rreth 136 agjentë. 

Sipas saj, rreth 600 persona nga qarqet e ekstremit të djathtë gjerman goditën me gurë, shishe e fishekzjarrë, duke i detyruar autoritetet të përdornin gaz lotsjellës.

Përleshjet vazhdojnë, ndërsa në Gjermani po vijnë mijëra refugjatë të tjerë, të cilët aktualisht ndodhen në tranzit në Serbi.

 

 

SHKARKO APP