Shpërthejnë sërish tensionet, Izraeli sulmon Gazën pas lëshimit të balonave të zjarrit

Izraeli filloi sulme ajrore në Gaza pasi militantët palestinezë lëshuan balonë zjarrëvënës në Izraelin jugor, njoftoi ushtria izraelite. Shpërthimet në Gaza u dëgjuan në orët e para të së mërkurës (16 qershor).

Ky është sulmi i parë që nga arritja e armëpushimit që u dha fund luftimeve 11 ditore, muajin e kaluar.

Forca e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) tha se avionët e saj luftarakë goditën “përbërësit ushtarakë që i përkisnin organizatës terroriste Hamas”.

Balonët e zjarrit kanë shkaktuar rreth 20 zjarre në Izraelin jugor, thanë zjarrëfikësit lokalë.

Ushtria izraelite tha se është e gatshme për të gjitha skenarët “përfshirë rifillimin e luftimeve përballë akteve të vazhdueshme terroriste që vijnë nga Gaza”.

Burimet palestineze të cituara nga AFP-ja thanë se forca ajrore e Izraelit shënjestroi të paktën një vend në lindje të Khan Yunis në jug të Rripit të Gazës.

Nuk kishte asnjë informacion për viktima. Në Gaza jetojnë rreth 2 milionë banorë.

Incidentet erdhën pasi grupet e ekstremit të djathtë në Izrael mbajtën një marsh kontrovers në Jerusalemin Lindor më 15 qershor. Qindra nacionalistë brohorisnin “vdekje për arabët”.

Marshimi vjetor që shënon kapjen e Jerusalemit Lindor më 1967 zakonisht kalon përmes lagjes myslimane, por autoritetet izraelite ndryshuan rrugën për të shmangur zonën.

Palestinezët e shohin marshin si provokim ndërsa Fatah e Hamas, dy organizatat më të mëdha palestineze, kanë bërë thirrje për “ditë të zemërimit” në Gaza dhe Bregun e pushtuar Perëndimor.

Mbajtja e këtij marshimi ishte një sfidë për kryeministrin e ri të Izraelit, Naftali Bennett.

Ai morën detyrën më 13 qershor dhe i përket krahut nacionalist të vijës së ashpër.

Bennett e mori detyrën nga ish-kryeministri Benjamin Netanyahu, i cili u rrëzua nga pushteti pas 12 vjetësh.

Qeveria e autorizoi mbajtjen e marshimit, pavarësisht se kishte shqetësime se do të mund të rriste tensionet.

Bennett dhe koalicioni i tij do të ishin kritikuar për kapitullim para Hamasit nëse qeveria do ta anulonte atë.

Nga luftimet në muajin maj mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit mbetën të vrarë 260 palestinezë, përfshirë disa luftëtarë, thanë autoritetet e Gazës. Në Izrael, 13 njerëz u vranë, duke përfshirë një ushtar, nga raketa të lëshuara nga Gaza, thanë policia dhe ushtria.

Izraeli, SHBA-ja, BE-ja dhe vende tjera e konsiderojnë Hamasin si organizatë terroriste./REL

SHKARKO APP