Shqiptarët i ofendojnë mamanë, italiani merr kallashnikovin!
Një ngjarje e pazaakontë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën “Giambellino” të Milanos në Itali. Një 42-vjeçar italian është arrestuar nga policia, pasi ka kërcënuar një të ri që t’i tregonte emrat e dy shqiptarëve që i kishin ofenduar nënën e tij.
“Ata dy shqiptarët nuk duhet ta shqetësojnë nënën time, më thuaj ku janë që t’i gjej, ose do të kesh ti telashe”, – mësohet t’i ketë thënë italiani personit që njihte dy shqiptarët, sipas asaj që shkruan gazeta “Corriere della Sera”.
Për “takimin” me ta, italiani ishte bërë gati për “luftë”, pasi kishte me vete një pushkë tip “Zastava M70”, version jugosllav i kallashnikovit “Ak47”.
Gazeta shkruan se policia ka ndërhyrë kur ka parë një djalë të shtrirë në tokë dhe një person që e godiste me shkelma dhe gushte. Agresori u përpoq të largohet dhe është ndaluar me armë në dorë. Ai quhet Gianluigi Fabio Manolo Recrosio, 42 vjeç, me precedentë të mëparshëm penalë, i cili prej pak kohësh kishte shlyer një masë në arrest shtëpie.
42-vjeçari kishte me vete një karikator me 28 plumba si dhe 20 të tjera të cilët i mbante në xhepin e pantallonave.
Ai ka treguar para karabinierëve se e ëma e kishte njoftuar se ishte kërcënuar nga dy shqiptarë, që 42-vjeçari i njihte vetëm si fytyra. Pasi ka mbërritur në shtëpi, ka pyetur një fqinj të tij italian për të mësuar emrat e shqiptarëve.
Kur i riu refuzoi të tregojë, ai nisi ta dhunojë fizikisht, duke mbajtur në duar edhe armën e zjarrit për ta trembur. Djaloshi u largua para se agjentët ta identifikonin.
KOHA JONË SONDAZH

