Shqiptarët prezantohen denjësisht në zgjedhjet e Italisë, disa prej tyre fitues
Rreth 50 emigrantë shqiptarë ishin kandidatë në zgjedhjet rajonale e administrative të 20-21 shtatorit në Itali.
Të përzgjedhur nga forca të ndryshme politike, grupime e lista civile, ata konfirmuan se ishin kandidatë të denjë të 18 milionë italianëve që kishin të drejtë vote në 7 rajone e rreth 957 komuna italiane.
Disa prej tyre dolën fitues në këto zgjedhje, duke shkruar një faqe të re në historinë e drejtimit adminisrativ të komunës ku jetojnë.
I tillë është shqiptari Tritan Myftiu, që u zgjodh këshilltari i parë i huaj në komunën e Bolzanos. Ai kandidoi me Partinë Fratelli D’Italia e tema e emigracionit qe një nga pikat më kryesore në fushatën e tij elektorale.
“Jam për një emigracion me kritere, thotë ai, duke theksuar se fluksi i një emigracioni të pakontrolluar do të dëmtonte më shumë vetë emigrantët e rregullt që jetojnë e punojnë në Itali prej vitesh siç është komuniteti i shqiptarëve.”
Po fitues në zgjedhjet e 20 shtatorit doli dhe shqiptari Mariol Peqini 25 vjeç, nëpunës banke, i kandiduar me qëndrën e majtë italiane. Ai u zgjodh këshilltar komunal në qytezën Luzzaro në rajonin e Emilia Romagna e nuk ështe hera e parë që e mban këtë funskion.
Karriera e tij politike në drejtimin administrativ të komunës ku jeton ka nisur që në vitin 2015. Problemet e të rinjve, sporti, integrimi i kulturave të ndryshme, u bënë forca e fushatës së tij elektorale.
Sukseshëm doli në këto zgjdhje dhe shqiptarja Fabiola Kodra, kandidate e Partisë Demokratike e cila mund të jetë këshilltare komunale në qytezën e Vignolo në provincën e Komos në Piemonte. Vetëm 25 vjeç, ajo zgjodhi si betejë politike të fushatës zgjedhore tema si barazia gjinore, luftën kundër çdo forme dhune e ndihmën e altruizmin ndaj çdo personi në nevojë.
Por dhe pse nuk hynë dot në këshillat rajonale të vendbanimeve të tyre, mjaft shqiptarë u prezantuan denjësisht duke marrë një numër të lartë votash.
I tillë është rasti i Lindita Elezit, kandidate e Partisë Lidhja, në komunën Jesi në provincën e Ankonës, e cila mori mbi 1400 vota e vetëm për pak nuk mund të jetë pjesë e këshillit komunal të kësaj komune.
U bënë mbi 30 vite që emigrantët shqiptarë, sot gati gjysëm milionë, janë pjesë e shoqërisë italiane.
Konsiderohen ndër komunitetet emigrante më historike e ndër më të integruarit që prej 3 dekadash kontribuojnë në ekonominë italiane.
E rezultati i zgjedhjeve të 20-21 shtatorit konfirmoi se janë të denjë të jenë dhe përfaqësues të komunitetit të shqiptarëve e të bashkëqytetarëve në pushtetin vendor në qytetet e vendbanimet e tyre.