Shtëpia e Bardhë reagon pas zhurmës që shkaktuan deklaratat e Trump
Shtëpia e Bardhë ka reaguas pas zhurmës që shkaktuan fjalët e presidentit Trump në konferencën e fundit për shtyp për çështjen e trajtimit të koronavirusit.
Shtëpia e Bardhë akuzoi disa nga mediat kryesore amerikane se kanë keqinterpretuar fjalët e presidentit me qëllim.
“Presidenti Trump përsëriti disa herë gjatë konferencës për shtyp që qytetarët amerikanë duhet të këshillohen me mjekët e tyre në lidhje me trajtimet për koronavirusin”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump është kritikuar ashpër nga komuniteti mjekësor dhe opinioni publik pasi sugjeroi një kërkim, sipas të cilit, koronavirusi mund të trajtohet nëse injekton dezinfektant në trup.
Ai gjithashtu propozoi goditjen e trupave të pacientëve me rreze ultraviolet, një ide kjo që u refuzua menjëherë nga një doktor që ishte i pranishëm në konferencë për shtyp.
“Pra, supozojme se duhet ta godasim trupin me një dritë të fuqishme, qoftë ultravjollcë apo jo.”, tha presidenti, duke iu drejtuar Dr. Deborah Birx, koordinatore e Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin, “dhe mendoj se ju thatë se kjo gjë nuk është kontrolluar, por do ta testoni atë. Dhe atëherë unë them, supozojmë se e futët dritën brenda trupit, të cilën mund ta bëni ose përmes lëkurës ose në ndonjë mënyrë tjetër. Dhe unë mendoj se keni thënë që do të provoni edhe këtë. Duket interesante”, u shpreh presidenti.
“Më tej shikoj që dezinfektanti e shkatërron virusin për një minutë. Një minutë. A ka ndonjë mënyrë që mund të bëjmë diçka të tillë, ta injektojmë apo thjesht të bëjmë një pastrim?”, shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Paradoksalisht, propozimi i Trump u refuzua edhe nga vetë prodhuesit kryesorë të dezinfektantëve në SHBA, si Lysol dhe Dettol, të cilët rekomanduan që produktet tyre mos të përdoren në mënyrën e gabuar.