Shtetet lehtësojnë masat anti-COVID, OBSH: Vendim i nxituar
Prej disa javësh shumë shtete në të gjithë botën kanë nisur lehtësimin e masave anti-COVID, duke mundësuar kështu dhe një sezon turistik më të lehtë.
Por, Organizata Botërore e Shëndetësisë konsideron të nxituar lehtësimin e masave në shumë vende të botës dhe pse infektimet kanë pësuar rënie.
Drejtuesit e Organizatës thonë se në vjeshtën e këtij viti rrezikon të përsëritet kriza e vitit të kaluar. OBSH iu bën thirrje vendeve në të gjithë botën të bëjnë kujdes me lehtësimin e masave anti-COVID.
Kreu i emergjencave pranë kësaj organizate, Majk Rajan thotë se heqja e masave në mënyrë të nxituar rrit rrezikon e rikthimit të një tjetër vale të pandemisë.
“Kujtoni Verën e kaluar, kur gjithçka shkoi mirë dhe më pas, erdhi Shtatori e Tetori dhe përfunduam me vështirësi të mëdha”.
Rajan paralajmëron se një krizë si ajo e vjeshtës së kaluar mund të përsëritet sërish, sidomos kur në qarkullim është një variant, si Delta.
OBSH kërkon përshpejtimin e ritmeve të vaksinimit, pasi sipas ekspertëve të kësaj organizatave, vetëm imunizimi masiv i popullatës globale mund ta ndërpresë zinxhirin e përhapjes së COVID-19.